Kryeministri britanik Keir Starmer mbrojti buxhetin e ri të qeverisë, i cili parashikon rritje taksash për qytetarët – nga produktet e përditshme si milkshake-t, deri te automjetet elektrike, duke theksuar se këto masa synojnë nxitjen e rritjes ekonomike.
Ministrja britanike e financave, Rachel Reeves, njoftoi rritje taksash me vlerë mbi 26 miliardë paund (34 miliardë dollarë), përveç 40 miliardë paundëve të ngritura vitin e kaluar. Këto masa bënë që parashikuesi zyrtar i buxhetit të paralajmëronte një goditje të ndjeshme ndaj standardeve të jetesës.
Gjatë një vizite në një qendër komunitare në Warwickshire, ku ishte e pranishme edhe Reeves, Starmer tha se paketa e re ekonomike do të ndihmojë gjithashtu në nxjerrjen nga varfëria të qindra mijëra fëmijëve, duke e cilësuar nivelin aktual të varfërisë së fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar si “të neveritshëm”.
Rritja e shpenzimeve për mirëqenien sociale u kritikua nga Partia Konservatore në opozitë, e cila akuzoi Reeves se po u merr para punëtorëve për të qetësuar deputetët e pakënaqur brenda partisë së saj, duke krijuar kështu linja të reja përplasjesh politike.
Analistët vlerësojnë se pjesa më e madhe e rritjes së shpenzimeve publike pritet të ndodhë gjatë viteve të ardhshme, ndërsa shumica e rritjeve të taksave do të hyjnë në fuqi më vonë. Kjo ngre pikëpyetje mbi gatishmërinë e qeverisë për t’i zbatuar këto masa përpara zgjedhjeve të vitit 2029.
Partia Laburiste e Reeves fitoi me një shumicë dërrmuese në vitin 2024, por tani renditet nën 20% në sondazhe, duke shtuar dyshimet nëse Starmer do të mund të qëndrojë në pushtet pas zgjedhjeve të vështira lokale që priten në maj./mxh
