Last Updated on 30/07/2025 by adminfjala
Stërvitjet dhjetëditore e njësive speciale të ushtrive të Serbisë dhe Kinës është mbajtur në provincën Hebei në veri të Kinës, pavarësisht paralajmërimeve që Brukseli i kishte bërë Beogradit.
Pas manovrës së vitit të kaluar me ushtrinë e Bjellorusisë – në kufirin e NATO-s në Evropë – këtë vit, ushtarët kinezë zhvilluan stërvitje me ushtrinë e Serbisë.
Kjo ishte hera e parë që Kina dhe Serbia, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe aleate e afërt e Kinës dhe Rusisë, zhvilluan stërvitje të përbashkët ushtarake.
Profesori në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, Daniel Serwer, e vlerësoi këtë zhvillim për Radion Evropa e Lirë si një konfirmim të mëtejshëm se “Serbia po afrohet gjithnjë e më shumë me Pekinin, ashtu si edhe me Moskën”.
“S’kanë pasur të drejtë ata që thoshin se presidenti Vuçiq do ta përqafonte Perëndimin”, tha Serwer.
Edhe pse integrimi në BE është qëllim strategjik i Serbisë, ajo – nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq – po i thellon marrëdhëniet me Kinën. Të dyja vendet i quajnë marrëdhëniet e tyre “miqësi çeliku” dhe “partneritet strategjik”.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë vlerësoi se stërvitjet i ka dhënë “impuls forcimit të bashkëpunimit ushtarak” me Kinën – duke e bërë Serbinë shtetin e vetëm kandidat drejt BE-së që stërvitet me ushtrinë kineze.
Serbia është ushtarakisht neutrale, por është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe” dhe bashkëpunon me aleancën në këtë kuadër.
Në qendër të stërvitjeve të përbashkëta me emrin “Paqeruajtësi 2025” ishte përdorimi i dronëve, pasi Serbia ka blerë dronë luftarakë dhe sistemin kundërajror kinez FK-3. Kjo e ka bërë Serbinë vendin e parë në Evropë që operon me këto pajisje kineze – zhvillim që ka shkaktuar shqetësim në Bruksel dhe Uashington.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë përse stërvitjet u zhvilluan pavarësisht paralajmërimit nga BE-ja.
Kur stërvitjet u paralajmëruan në mesin e korrikut, një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se “Serbia duhet të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme”. m.p.