Last Updated on 19/06/2026 by Kesjana
Të kuptosh një recetë mjekësore apo udhëzimet e një ilaçi është thelbësore për të ruajtur shëndetin. Megjithatë, një studim i ri ka zbuluar se një në tre të rritur të moshës 35 deri në 64 vjeç has vështirësi në interpretimin e informacionit bazë shëndetësor. Studimi, i publikuar në revistën shkencore Journal of General Internal Medicine, është i pari që analizon nivelin e alfabetizimit shëndetësor te personat e moshës së mesme, periudhë kur shpesh diagnostikohen sëmundje kronike si diabeti, tensioni i lartë apo kolesteroli i lartë. Sipas studiuesve të Northwestern University Feinberg School of Medicine në Çikago, rreth 32,5% e pjesëmarrësve kishin vështirësi të kuptonin fletëudhëzimet e barnave, të plotësonin formularë mjekësorë ose të mbanin mend me saktësi këshillat e marra gjatë vizitës te mjeku. Në studim morën pjesë mbi 1.000 pacientë, të cilët u testuan për aftësinë e tyre në kuptimin e informacionit mjekësor. Rezultatet treguan se personat me më pak njohuri shëndetësore kishin më shumë gjasa të vuanin nga sëmundje kronike, të përdornin disa ilaçe njëkohësisht dhe të kishin rezultate më të dobëta në testet e funksioneve njohëse. Studiuesit vunë re gjithashtu se vështirësitë në kuptimin e informacionit shëndetësor lidhen shpesh me nivel më të ulët arsimimi, të ardhura më të pakta dhe papunësi. Mënyra e përdorimit të ilaçeve është po aq e rëndësishme sa marrja e tyre Ekspertët theksojnë se nuk mjafton vetëm të pyetet pacienti nëse e ka marrë ilaçin. Po aq e rëndësishme është të kuptohet nëse ai di si ta përdorë: para apo pas ushqimit, në çfarë doze dhe nëse ilaçi mund të ndërveprojë me barna apo ushqime të tjera. Sipas autorëve të studimit, shumë fletëudhëzime përdorin një gjuhë tepër teknike dhe të ndërlikuar. Ata propozojnë që informacioni mjekësor të shkruhet më thjesht dhe më qartë, në mënyrë që të jetë i kuptueshëm për të gjithë. “Shpenzohen miliarda për zhvillimin e ilaçeve, por shumë më pak investohet për t’i ndihmuar pacientët t’i përdorin ato në mënyrën e duhur”, thotë studiuesi Michael Wolf. Sipas tij, komunikimi më i qartë mes mjekëve, farmacistëve dhe pacientëve mund të përmirësojë ndjeshëm rezultatet e trajtimit dhe të reduktojë rreziqet për shëndetin./kb
