Një stuhi e fuqishme dimërore në formën e një ciklon intensiv ka përfshirë pjesën më të madhe të SHBA-së me një përzierje bore, akulli, shiu dhe erërash të forta.
Orët e fundit janë shënuar temperatura shumë më të ulëta. Këto janë pamjet që vijnë nga shteti i Nju-Jorkut, ku reshje të tilla dëbore janë tipike në çdo fillim viti.
Stuhitë e borës e kanë bërë të pamundur udhëtimin në disa zona.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për temperatura deri në minus 30 gradë në Dakotën e Veriut dhe në Minesota.
Në jug të SHBA-ve, u shënuan stuhi të forta që sinjalizuan mbërritjen e një fronti të acartë, i njohur si “Veriu Blu”, i shoqëruar me një rënie të temperaturave dhe erëra të forta veriore në të gjithë rajonin.
Ngrohtë ishte në Atlanta, ku temperatura maksimale ishte rreth 22 gradë Celsius të dielën, por me ndryshimin e menjëhershëm të motit, temperatura minimale shkoi në -3.9 gradë Celsius në mëngjesin e kësaj të marte.
Edhe Kalifornia përjetoi një fundjavë mjaft të thatë, ndërkohë që stuhitë e fuqishme e goditën këtë shtet me shira të rrëmbyeshëm që sollën përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje dheu.
Ky ndryshim moti solli anekënd SHBA-së vonesa dhe anulime të fluturimeve ajrore. Shërbimi Kombëtar i Motit i ka këshilluar shoferët që të mbajnë ushqim dhe ujë shtesë në automjetet e tyre në rast emergjence./kb
