Suedia do të patrullojë hapësirën ajrore rreth Islandës dhe Grenlandës me avionë luftarakë JAS 39 Gripen, në kuadër të misionit të ri të NATO-s, “Arctic Sentry”.
Aleanca njoftoi se misioni është lançuar për të forcuar praninë në rajonin e Arktikut, një zonë me rëndësi strategjike në rritje për sigurinë evropiane dhe bashkëpunimin transatlantik.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, deklaroi se pjesëmarrja e Suedisë do të forcojë parandalimin dhe do të mbrojë interesat e përbashkëta të aleatëve. Sipas tij, ky angazhim kontribuon në stabilitetin e një rajoni që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi gjeopolitike.
Misioni “Arctic Sentry” vjen në një moment tensionesh brenda aleancës, pas debatit të nxitur nga deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me interesin e Shteteve të Bashkuara për Grenlandën.
Me këtë hap, Suedia, tashmë anëtare e NATO-s, rrit rolin e saj në mbrojtjen kolektive të aleancës dhe në sigurinë e krahut verior të Evropës./mxh
