Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar ashpër një sulm me dron ndaj një spitali në Sudan, ku humbën jetën të paktën 60 persona, mes tyre fëmijë dhe personel mjekësor.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, deklaroi se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres e ka cilësuar sulmin ndaj spitalit në Darfurin Lindor si të papranueshëm dhe në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Sipas OKB-së, që nga nisja e luftës në Sudan në prill të vitit 2023, janë regjistruar mbi 200 sulme ndaj objekteve shëndetësore, duke shkaktuar më shumë se 2 mijë viktima.
Situata në vend mbetet kritike, ndërsa sulmet me dron po shtohen dhe po godasin gjithnjë e më shumë civilët dhe infrastrukturën. Vetëm në periudhën nga janari deri në mesin e marsit, raportohen rreth 500 civilë të vrarë nga sulmet ajrore.
Në disa rajone të vendit, përfshirë Kordofanin Perëndimor dhe Nilin Blu, raportohen viktima të shumta dhe dëme të mëdha, ndërsa banorët po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve intensive.
OKB thekson se sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile janë të ndaluara dhe u bën thirrje palëve ndërluftuese të ndalin menjëherë dhunën dhe të rikthehen në tryezën e negociatave.
Sipas deklaratave të OKB-së, ka indicie se si forcat qeveritare, ashtu edhe grupi paraushtarak Rapid Support Forces mund të kenë përdorur dronë gjatë konfliktit.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar vijon të kërkojë armëpushim dhe akses të menjëhershëm për ndihmat humanitare, në një konflikt që po rëndon çdo ditë jetën e civilëve në Sudan./mxh