Një sulm me dronë ukrainas goditi një rafineri nafte në qytetin rus Ryazan, rreth 200 kilometra në juglindje të Moskës, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas autoriteteve lokale ruse, tre persona humbën jetën pas sulmit, ndërsa u dëmtuan edhe disa ndërtesa banimi shumëkatëshe dhe një objekt industrial. Guvernatori rajonal, Pavel Malkov, konfirmoi se sulmi ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan një re të madhe tymi të zi që ngrihej mbi qytet, ndërsa në horizont shiheshin flakë të fuqishme pranë zonës industriale. Agjencia Reuters verifikoi vendndodhjen e videos përmes ndërtesave dhe kullave të energjisë që përputheshin me imazhet satelitore të zonës.
Nga ana tjetër, komandanti i forcave ukrainase të dronëve, Robert Brovdi, deklaroi se gjatë natës janë goditur gjithsej 23 objektiva ushtarake dhe infrastruktura strategjike në territorin rus, si edhe në zonat e pushtuara të Ukrainës.
Sulmet me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar muajt e fundit, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të godasin objektiva energjetike dhe ushtarake larg vijës së frontit./mxh
