Të paktën tetë persona, mes tyre tre fëmijë, kanë humbur jetën nga sulmet ruse në qytetin Zaporizhzhia, në juglindje të Ukrainës, të shtunën. Autoritetet bëjnë me dije se 16 persona të tjerë janë plagosur, ndërsa 12 rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas Policisë Kombëtare të Ukrainës, forcat ruse goditën zonat e banuara të qytetit me pesë bomba ajrore të drejtuara në orët e para të mëngjesit. Dy prej tyre goditën pallate banimi.
Guvernatori rajonal, Ivan Fedorov, njoftoi se dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa shumica e të tjerëve kanë marrë dëmtime të një shkalle mesatare.
“Personeli mjekësor po bën gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar të gjithë”, shkroi Fedorov në një postim në Telegram.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat e goditura. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës raportoi se një bombë ajrore shkatërroi plotësisht hyrjen e një pallati trekatësh, ndërsa ndërtesa të tjera dhe banesa private pësuan dëmtime.
“Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin dhe aktualisht po vijojnë largimin e rrënojave dhe kërkimet për njerëzit”, deklaroi shërbimi.
Ndërkohë, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 160 dronë drejt territorit ukrainas gjatë natës. Deri në orën 09:00 të mëngjesit, mbrojtja ajrore kishte rrëzuar ose neutralizuar 117 mjete ajrore pa pilot të llojeve të ndryshme, përfshirë dronë Shahed dhe Gerbera. Goditje u raportuan në 14 zona.
Zelenskyy kritikon marrëveshjen për naftën ruse: Dhuratat për Putinin nuk sjellin paqe
Sulmet vijnë në një kohë kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka kritikuar ashpër njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje që parashikon furnizimin e tregjeve amerikane dhe ndërkombëtare me naftë ruse.
Trump deklaroi të premten se kishte zhvilluar një bisedë “shumë të suksesshme” me presidentin rus Vladimir Putin dhe se të dy kishin rënë dakord që Rusia të furnizonte menjëherë tregjet amerikane dhe globale me më shumë se 300 mijë tonë naftë dizel, me sasi të tjera që do të pasonin.
Zelenskyy reagoi duke paralajmëruar se një marrëveshje e tillë nuk do të ndihmojë në përfundimin e luftës.
“Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe apo ndonjë përfitim për botën e qytetëruar”, shkroi presidenti ukrainas në një postim në rrjetin social X.
“Lejimi i Rusisë të shesë produkte të naftës është një investim në një luftë që duhet të përfundojë, jo të zgjatet. Ajo që nevojitet është një ulje reale dhe reciproke e tensioneve me Rusinë”, shtoi ai./k.m
