Pasi siguroi biletën për në play-off për rrugën drejt Botërorit, Shqipëria do të rikthehet në fushë në fund të muajit mars, ku “finalja” e parë do të jetë ajo në transfertë ndaj Polonisë dhe në rast fitoreje këtu, më pas do të luiajë në finalen e madhe ndaj fituesit Ukrainë-Suedi.
Gjatë kësaj kohe, Sylvinho do të ketë mundësinë të studiojë element të rinj apo edhe të tjerë që kanë qenë më parë pjesë e Kombëtares, për t’i grumbulluar për play-offin e muajit mars. Dy emrat që aktualisht e meritojnë një ftesë nga Sylvinho janë: Anis Mehmeti dhe Ernest Muçi.
Mehmeti po shkëlqen në Championship me Bristol City-n, ku në 16 ndeshje, ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 6 asiste. 24-vjeçari që nuk është grumbulluar nga Sylvinho pavarësisht formës së mirë që po tregon në mënyrë të qendrueshme. Ai mund të mbulojë disa pozicione në fushë ku kryesori është si mesfushor me tipare sulmuese, por mund të luajë edhe si mesfushor qendror, anësor dhe sulmues i mirëfilltë.
Ernest Muci po ashtu është një tjetër emër që duhet marrë në konsideratë dhe mund të jetë vendimtar në momente të caktuara. Pas transferimit te Trabzonspor, Muçi ka fituar besimin që i mungonte te Besiktas dhe ka treguar një formë shumë të mirë në kohët e fundit. Në ndeshjen e fundit, shënoi dy gola vendimtarë në fitoren 3-4 të Trabzonspor në transfertën ndaj Basakhesir. m.p.
