Edhe pse karrierat i çojnë vazhdimisht në vende të ndryshme të botës, Rita Ora dhe Taika Waititi kanë një rregull të rëndësishëm për të ruajtur marrëdhënien e tyre: të mos e lënë kohën që kalojnë bashkë në plan të dytë.
Regjisori i njohur ka folur për jetën bashkëshortore me këngëtaren shqiptare, duke pranuar se koordinimi i dy karrierave ndërkombëtare nuk është gjithmonë i lehtë. Udhëtimet e shpeshta dhe projektet profesionale i detyrojnë të organizojnë me kujdes takimet, në mënyrë që distanca të mos kthehet në një pengesë për lidhjen e tyre.
Në një intervistë për revistën australiane Woman’s Day Magazine, gjatë promovimit të filmit të tij të ri Klara and the Sun, ku luan edhe Jenna Ortega, Waititi tregoi se për të dy është e rëndësishme të mos qëndrojnë gjatë pa u parë.
Sipas tij, kur të dy partnerët kanë angazhime të shumta dhe lëvizin vazhdimisht nga një shtet në tjetrin, koha së bashku kërkon përkushtim dhe planifikim. Për këtë arsye, çifti përpiqet të mos lejojë që të kalojnë më shumë se disa javë pa u takuar.
Regjisori pranoi se periudhat e gjata larg njëri-tjetrit mund ta bëjnë jetën në çift më të vështirë, pasi secili fillon të përshtatet me rutinën e të qenit vetëm.
“Një gjë që e kemi mësuar të dy është se duhet të investosh kohë në një lidhje”, u shpreh ai, duke nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur marrëdhënien të fortë.
Por, përveç udhëtimeve dhe jetës së ngarkuar profesionale, çifti ka gjetur edhe një vend ku mund të shkëputet nga ritmi i vrullshëm i përditshmërisë: Zelanda e Re, vendlindja e Waititit.
Regjisori tregoi se Rita e shijon veçanërisht qëndrimin atje, duke e konsideruar një mundësi ideale për t’u çlodhur dhe për të mos u marrë me angazhimet e zakonshme.
“Ajo e do shumë shtëpinë. Kur vjen në hemisferën jugore, e trajton Zelandën e Re si një resort të madh”, tregoi ai, duke shtuar se këngëtarja e shfrytëzon këtë kohë për të pushuar dhe për të shijuar qetësinë.
Rita Ora dhe Taika Waititi kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë në vitin 2022. Pavarësisht karrierave që i mbajnë shpesh larg njëri-tjetrit, rrëfimi i regjisorit tregon se për ta, sekreti nuk qëndron te sasia e kohës që kanë në dispozicion, por te rëndësia që i japin asaj kur janë bashkë./mxh
