Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez, zhvilluan takimin e tyre të parë, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Rodriguez e përshkroi takimin si “historik” në një postim në rrjetin social X duke deklaruar se dy liderët diskutuan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi takimin si të shkurtër, por të rëndësishëm.
“Ne duam t’i ndihmojmë ata të rindërtojnë ekonominë e tyre”, u tha Rubio gazetarëve.
“Shtetet e Bashkuara synojnë të mbështesin rimëkëmbjen ekonomike të Venezuelës dhe vendosjen e stabilitetit, ndërsa krijojnë kushtet për zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme”, theksoi Rubio.
“Zhvilluam një takim historik me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me të cilin diskutuam forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona”, shkroi Rodriguez në postimin e saj, të shoqëruar me një fotografi ku ajo dhe Trump shfaqeshin duke buzëqeshur.
Sipas saj, bisedimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit në sektorët e energjisë, minierave dhe sigurisë.
Ajo falënderoi gjithashtu presidenti. Trump dhe administratën e tij për mbështetjen pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën në fund të qershorit, si dhe për ndihmën në riintegrimin e vendit të saj në organizatat shumëpalëshe.
Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kapën liderin autoritar të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, në një operacion kundër Venezuelës.
Të dy mbahen në një burg në Nju Jork, vetëm pak kilometra larg ndërtesës së Kombeve të Bashkuara ku u zhvillua takimi.
Ata pritet të përballen me gjyq për akuza që lidhen me përfshirje të dyshuar në trafikun ndërkombëtar të drogës./mxh
