Kryeministri hungarez Peter Magyar u takua në Bruksel me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një përpjekje për të finalizuar marrëveshjen mbi zhbllokimin e fondeve të Bashkimit Europian për Hungarinë.
Fondet ishin ngrirë gjatë qeverisë së mëparshme të Viktor Orban, për shkak të shqetësimeve të Brukselit lidhur me sundimin e ligjit dhe garancitë kundër korrupsionit.
Një ditë më parë, Magyar deklaroi se marrëveshja me Bashkimin Europian ishte “shumë afër”, duke theksuar se palët kishin arritur dakordësi për shumicën e çështjeve, ndërsa ende mbeten diskutime për luftën kundër korrupsionit.
Qeveria e re hungareze ndodhet nën presion për të siguruar fondet para afatit të 31 gushtit. Bëhet fjalë për 6.5 miliardë euro grante dhe 3.9 miliardë euro kredi me interesa të ulëta nga fondi europian i rimëkëmbjes.
Po ashtu, rreth 7 miliardë euro fonde strukturore të Bashkimit Europian mbeten ende të bllokuara, megjithëse Hungaria ka më shumë kohë për t’i përfituar ato.
Zhbllokimi i këtyre fondeve konsiderohet jetik për ekonominë hungareze, e cila ka shfaqur stagnim gjatë tre viteve të fundit dhe për buxhetin shtetëror që ndodhet nën presion të fortë financiar.
Takimi në Bruksel shihet si një test i rëndësishëm për marrëdhëniet mes qeverisë së re hungareze dhe institucioneve europiane./mxh
