Teksa dy liderët botërorë po zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë, përpara ceremonisë përkujtimore për senatorin Lindsey Graham në Kapitolin Amerikan, ja një përmbledhje e takimeve të mëparshme mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Shkurt 2025
Një takim i tensionuar në Zyrën Ovale u shndërrua në një përplasje të ashpër verbale, ku Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance kritikuan Zelenskyn, duke i thënë se ai “nuk ka asnjë kartë në dorë”. Takimi përfundoi pa nënshkrimin e marrëveshjes për mineralet, që ishte planifikuar nga të dyja palët, si edhe pa përparim të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje paqeje.
Prill 2025
Trump dhe Zelensky zhvilluan një takim kokë më kokë për rreth 15 minuta në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara funeralit të Papa Françeskut. Ishte takimi i parë mes tyre që nga përplasja e shkurtit. Zelensky e cilësoi atë si “takimin më të mirë” që kishte pasur me Trump, duke deklaruar se diskutuan për një armëpushim të plotë dhe një paqe të qëndrueshme.
Gusht 2025
Pas samitit të Trump me Vladimir Putinin në Alaska, Zelensky u rikthye në Shtëpinë e Bardhë për një takim shumëpalësh. Gjatë vizitës, ai i dorëzoi Melania Trump një letër nga bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, në shenjë falënderimi për angazhimin në kthimin e fëmijëve ukrainas të mbajtur në Rusi.
Tetor 2025
Një tjetër takim në Shtëpinë e Bardhë u karakterizua nga tensione. Sipas mediave, biseda degradoi në debat të ashpër pasi Trump këmbënguli që Ukraina të pranonte lëshime territoriale.
Dhjetor 2025
Në një takim në Florida, atmosfera ishte dukshëm më konstruktive. Të dy liderët deklaruan se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës ishte pranë arritjes.
Korrik 2026
Gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Trump i bëri të ditur Zelenskyt se SHBA-të do t’i japin Ukrainës licencën për të prodhuar brenda vendit raketat mbrojtëse Patriot. Ky u konsiderua një hap i rëndësishëm për Kievin, i cili prej muajsh kishte kërkuar më shumë mbështetje në sistemet e mbrojtjes ajrore për t’u përballur me sulmet raketore ruse./MXH
