Takimi në Korenë e Jugut midis Donald Trump dhe Xi Jinping zgjati më pak se dy orë, i pari i tyre që nga viti 2019. Udhëheqësit e SHBA dhe Kinës dolën së bashku mes buzëqeshjeve dhe shtrëngimeve të duarve, në dukje pa tension. Ata nuk lëshuan një deklaratë të përbashkët, por për presidentin e SHBA-së, takimi ishte “një sukses i madh”. “Me Xi,” tha Trump, “arritëm një marrëveshje për metalet e rralla”.
“Kemi një marrëveshje. Do ta rinegociojmë çdo vit, por mendoj se do të zgjasë shumë gjatë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One në Busan të Koresë së Jugut, duke shtuar se marrëveshja e diskutuar me Xi mbulon “pothuajse gjithçka”, duke përfshirë tregtinë e sojës dhe tarifat e fentanilit.
Trump njoftoi më pas se tarifat doganore për produktet kineze do të ulen në 47%, nga 57% që janë aktualisht, dhe se Uashingtoni dhe Pekini do të punojnë së bashku për luftën në Ukrainë. Trump njoftoi gjithashtu se do të zhvillojë një vizitë në muajin prill në Kinë, se Xi Jinping do të vizitojë Shtetet e Bashkuara diku më vonë.
“Në një shkallë nga 1 deri në 10, takimi me Xi ishte 12”, tha presidenti i SHBA./ K.M
