Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho ka marrë pjesë në takimin ndërkombëtar që u zhvillua në Palermo të Italisë me temë “Bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar dhe proceset e integrimit të organizatave kriminale transnacionale: analiza dhe perspektiva pune”.
Aktiviteti u mbajt në Pallatin e Drejtësisë, në përkujtim të Giovanni Falcones dhe Paolo Borsellinos. Aty morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të prokurorive dhe institucioneve të drejtësisë nga vendet e Europës, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine.
Gjatë fjalimit të tij, Braho nënvizoi qasjen e SPAK përballë sfidave që paraqet sot krimi i organizuar transnacional, i cili vepron gjithnjë e më shumë përmes rrjeteve ndërkufitare, të afta për t’u përshtatur me zhvillimet teknologjike, financiare dhe logjistike.
Ai theksoi rëndësinë e një qasjeje hetimore që synon të kuptojë të gjithë zinxhirin e veprimtarisë kriminale: nga burimi dhe organizimi i aktivitetit kriminal, te lidhjet ndërkombëtare, mekanizmat financiarë, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe destinacionet përfundimtare të përfitimit të paligjshëm.
Ndërkohë, vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës së trajtimit publik të fenomenit të krimit të organizuar, duke theksuar nevojën për shmangien e përgjithësimeve mbi bazë kombësie, gjuhe apo përkatësie shoqërore.
U nënvizua se lufta kundër krimit të organizuar duhet të fokusohet te individët, strukturat dhe rrjetet konkrete kriminale, mbështetur mbi prova, analiza profesionale dhe tek bashkëpunimi mes autoriteteve ligjzbatuese.
SPAK vlerëson se përballja me krimin e organizuar transnacional kërkon hetime proaktive dhe financiare, shkëmbim të shpejtë informacioni dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me autoritetet homologe ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Prokuroria e Posaçme mbetet një partner serioz, i besueshëm dhe aktiv për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit./mxh
