Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri komentoi sot protestën e 11-të qytetare që po zhvillohet kundër qeverisë.
I ftuar në emisionin ‘Now’, Xhaferri u shpreh se me rëndësi është që njerëzit janë mbledhur pa kurrëfarë organizimi, ndërsa theksoi se në këto protesta po marrin pjesë me mijëra demokratë pa asnjë ndasi politike.
“E kam thënë që një protestë e kësaj gjenerate do të ndodhë. Nuk e shoh aq të rëndësishëm shqetësimin e destinacionit të kësaj proteste sesa procesin dhe udhëtimin e saj. Lajmi më i madh është që nervi i qytetarëve shqiptarë nuk ka vdekur dhe se mblidhen edhe njerëz të paorganizuar. Ne i jemi bashkuar që më 31 maj. Unë i pari kam bërë thirrje. Di që mijëra votues të djathtë dhe demokratë kanë qenë në protestë”,-tha Xhaferri.
I pyetur lidhur me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, Xhaferri tha se PD nuk kompleksohet nga përsëritjet e bëra nga turmat, pasi kryesore është kauza kundër qeverisë.
“Ne nuk kompleksohemi nga thirrjet e bëra në atë protestë, që edhe turma mund ta përsërisë. Të shijojmë procesin, se po dalin mijëra veta. PD i ka pasur këto kauza prej vitesh, që nga dorëheqja e Ramës, te ekonomia e kriminalizuar. Një protestë apolitike po vjen te kauza, që nuk janë pronë e askujt”,-u shpreh Xhaferri./Mxh
