Last Updated on 07/11/2026 by Monika
Gjashtë persona u vranë dhe të paktën 15 të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri në qendër të qytetit polak të Krakovit, të shtunën, më 7 nëntor.
Sipas policisë lokale, viktimat janë katër gra dhe dy burra, ndërsa në mesin e të plagosurve janë edhe dy zyrtarë policorë. Sulmi ndodhi rreth orës 15:00, sipas kohës lokale, në Sheshin Kryesor të Tregut – një nga zonat më të frekuentuara turistike të qytetit.
Sipas autoriteteve, një burrë hyri me makinë në shesh dhe nisi të qëllonte nga automjeti i tij. Policia ndërhyri dhe arrestoi të dyshuarin pasi shkëmbyen zjarr.
“Policët në Krakov rrezikuan jetën për të ndërhyrë menjëherë. Falë veprimeve të tyre heroike, sulmuesi u arrestua shpejt”, shkroi ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwinski, në platformën X.
Autoritetet e identifikuan të dyshuarin si shtetas polak, por nuk publikuan identitetin e tij apo motivin e mundshëm të sulmit. Policia konfirmoi se ai ishte i veshur me rroba të stilit ushtarak dhe kishte përdorur armë ushtarake.
Zëdhënësja e policisë, Katarzyna Cislo, tha se në automjetin e tij ishin gjetur edhe armë të tjera dhe municione. Autoritetet sqaruan se i dyshuari është në paraburgim dhe se nuk po kërkohet ndonjë person tjetër në lidhje me sulmin.
Të shtëna edhe ndaj një tramvaji
Përpara sulmit në Sheshin Kryesor, të shtëna u raportuan edhe ndaj një tramvaji në Sheshin e të Gjithë Shenjtorëve, në afërsi të qendrës së qytetit.
Sipas operatorit të transportit publik MPK, drejt tramvajit të linjës 1 u qëllua nga një automjet në lëvizje, duke thyer xhamin e kabinës së drejtuesit.
Asnjë nga pasagjerët apo drejtuesi i tramvajit nuk u lëndua. Autoritetet nuk sqaruan ende nëse dy incidentet janë të lidhura me njëri-tjetrin.
Pas sulmit, policia rrethoi Sheshin Kryesor dhe rrugët përreth, ndërsa ekipet e emergjencës dhe ambulancat mbërritën në vendngjarje.
Pamjet e publikuara nga agjencitë ndërkombëtare tregojnë xhama të thyer të dyqaneve, dëmtime që duket se janë shkaktuar nga plumbat, si dhe forca të shumta policore në rrugët e qytetit.
Një dëshmitare, e identifikuar si Tali, i tha agjencisë Reuters se kishte parë një burrë në makinë që nisi të qëllonte. Ajo tregoi se ishte strehuar në një restorant, ku kishte pritur që të pushonin të shtënat.
Tusk premton hetim të plotë
Kryeministri polak, Donald Tusk, vlerësoi ndërhyrjen e policisë dhe premtoi se do të hetohen të gjitha rrethanat e sulmit. Ai u bëri thirrje përfaqësuesve politikë që të mos e shfrytëzojnë tragjedinë për qëllime politike.
“Do t’i zbardhim të gjitha rrethanat e këtij krimi”, tha Tusk.
Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, shprehu shqetësim të thellë për ngjarjen dhe solidaritet me familjet e viktimave dhe të plagosurve.
Ai tha se shefi i Byrosë së Sigurisë Kombëtare ishte nisur drejt Krakovit dhe se siguria e qytetarëve polakë mbetet përparësi absolute.
Edhe ambasadori amerikan në Poloni, Tom Rose, dënoi sulmin, duke e përshkruar si një akt brutal që ka tronditur paqen e vendit.
Autoritetet polake vazhdojnë hetimet për të përcaktuar motivin e sulmit dhe rrethanat në të cilat ndodhi. Deri më tani, nuk është bërë i ditur ndonjë motiv i mundshëm./mxh
