Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka deklaruar se vendi i tij po shqyrton mundësinë e largimit nga Këshilli i Evropës, duke e çuar debatin për marrëdhëniet mes Bakusë dhe kësaj organizate, në një fazë të re.
Gjatë fjalimit të hapjes në Forumin e Katërt Global të Medias në Shusha, Aliyev tha se Azerbajxhani nuk po mendon vetëm për pezullimin apo ngrirjen e anëtarësimit, por edhe për një hap më të madh, largimin përfundimtar nga kjo strukturë evropiane.
“Ne po shqyrtojmë pa mëdyshje largimin nga ajo strukturë”, deklaroi presidenti azerbajxhanas, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi afatet apo procedurat që mund të ndiqen.
Deklarata e Aliyev vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes Azerbajxhanit dhe disa institucioneve evropiane. Marrëdhëniet e Bakusë me Këshillin e Evropës kanë qenë të mbushura me kritika dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme, veçanërisht lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe standardeve ligjore.
Azerbajxhani është anëtar i Këshillit të Evropës që nga viti 2001. Organizata, e themeluar në vitin 1949, ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë.
Deri tani, autoritetet e Azerbajxhanit nuk kanë njoftuar një vendim zyrtar për tërheqje, por deklarata e presidentit Aliyev tregon se Bakuja po shqyrton seriozisht një ndryshim të madh në raportet e tij me këtë institucion ndërkombëtar./mxh
