Koreja e Veriut ka lëshuar disa raketa balistike drejt Detit të Japonisë (i njohur ndryshe si Deti Lindor), në testin e parë të këtij lloji pas 5 muajsh. Ngjarja ndodh një javë para Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të zhvillohet nga 31 tetori deri më 1 nëntor në Seul, të Koresë së Jugut, ku pritet të marrin pjesë liderët kryesorë botërorë, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Ushtria e Koresë së Jugut ka njoftuar se ka identifikuar disa raketa balistike me rreze të shkurtër të lëshuara nga një zonë në jug të Phenian-it, në rajonin Junghwa të provincës Hwanghae, shkruan Corriere Della Serra. Raketat kanë përshkuar rreth 350 kilometra në drejtim verilindor. Komanda e Përbashkët e Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi fluturimin, por ka theksuar se raketat nuk kanë rënë në det, ndërsa ka shtuar se ushtria mbetet në gatishmëri për të përballuar çdo provokim nga Koreja e Veriut, falë aleancës së fortë ushtarake me SHBA-të.
Ky është lëshimi i parë i këtij lloji që nga marrja e detyrës nga presidenti i ri jugkorean, Lee Jae-myung, në qershor, i cili është zotuar të rikthejë klimën e dialogut me Phenian-in, pas viteve të tensionit të krijuar nga administrata konservatore e mëparshme. Testi i fundit i Koresë së Veriut u zhvillua më 8 maj, kur vendi testoi sisteme me rreze të shkurtër që simuluan kundërsulme bërthamore ndaj forcave amerikane dhe jugkoreane.
Qeveria japoneze ka raportuar se asnjë nga raketat e lëshuara nuk ka rënë brenda zonës së saj ekonomike ekskluzive. Kryeministrja e re Sanae Takaichi, në ditën e saj të dytë në detyrë, ka ndryshuar agjendën për të ndjekur nga afër situatën dhe ka urdhëruar ministritë e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme të mbledhin informacion për të garantuar sigurinë publike.
Lëshimi ndodh në një moment të tensionuar diplomatik, me Trump-in që pritet të mbërrijë në Seul më 29 tetor për të marrë pjesë në APEC, dhe më pas më 1 nëntor do të vizitojë Gyeongju-n, së bashku me liderë të tjerë botërorë. Presidenti amerikan ka deklaruar se shpreson për një takim të ri me Kim Jong-un, pas tre samiteve të mbajtura gjatë mandatit të tij të parë në Singapor (2018), Hanoi (2019) dhe në zonën e demilitarizuar mes dy Koreve, përpara se negociatat të dështonin për shkak të mungesës së marrëveshjes mbi denuklearizimin.
Nga ana e tij, Kim Jong-un ka dhënë sinjale për rifillimin e mundshëm të bisedimeve, por me kushte të qarta: Shtetet e Bashkuara duhet të heqin dorë nga, siç e quan ai, “obsesioni delirant për denuklearizimin” dhe të pranojnë një “bashkëjetesë paqësore”, sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut.
Në shtator, lideri i Phenian-it deklaroi se ruan “kujtime të bukura për Trump” dhe se është i gatshëm ta takojë sërish “nëse Uashingtoni pranon realitetin”. Ndërkohë, Koreja e Veriut po vazhdon të zhvillojë programet e saj raketore dhe bërthamore. Muajin e kaluar, Kim Jong-un mbikëqyri testin e fundit të një motori me karburant të lëngshëm për raketat me rreze të gjatë, që mund të paraprijë një tjetër lëshim eksperimental në muajt në vijim.
Në tetor, gjatë një parade ushtarake në Phenian, në prani të zyrtarëve të lartë rusë dhe kinezë, regjimi paraqiti raketën e re balistike ndërkontinentale Hwasong-20, të cilën autoritetet e përshkruan si “më të fuqishmen ndonjëherë” me një rreze veprimi “pa kufij”.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej vitesh që Kim Jong-un të heqë dorë nga armët bërthamore, por regjimi ka përsëritur vazhdimisht se nuk ka asnjë synim për çarmatim, duke e justifikuar programin e tij si një kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve nga SHBA-të dhe aleatët e saj, përfshirë Korenë e Jugut. Ndërkohë, Phenian-i po forcon gjithnjë e më shumë lidhjet me Kinën dhe Rusinë, me të cilat ka rritur bashkëpunimin ushtarak dhe diplomatik. /K.M