Last Updated on 22/10/2025 by EL
Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit për të cilin prej tre vitesh nuk ka asnjë informacion, ka kërkuar që djali i tij të shpallet i zhdukur.
Përmes një shkrese drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, Martinaj ka kërkuar shpalljen i zhdukur të Ervis Martinajt.
“Shtetasi Mustafa Martinaj kërkon pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë shpalljen të zhdukur të shtetasit Ervis Martinaj i datëlindjes 6.10.1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin. KËRKUES Mustafa Martinaj”, thuhet në shkresë.
Kanë kaluar plot tre vite nga zhdukja misterioze e Ervis Martinajt, një nga personazhet më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, dhe ende nuk ka një përgjigje zyrtare për fatin e tij.
Martinaj u pa për herë të fundit në 10 gusht të vitit 2022, në zonën e Shijakut. Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, ai ishte në ndjekje nga autoritetet shqiptare dhe ndodhej në qendër të një hetimi të gjerë për çështje kriminale që përfshinin aktivitet të paligjshëm, përfshirë lojërat e fatit dhe organizatat kriminale.
Zhdukja e tij u bë objekt hetimi nga Policia e Shtetit, ndërkohë që familjarët raportuan zyrtarisht mungesën e tij dhe shprehën shqetësimin për një rrëmbim të mundshëm. Pavarësisht spekulimeve të shumta që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale, përfshirë pista që lidhen me vrasje, arratisje jashtë vendit apo inskenim të zhdukjes, autoritetet nuk kanë konfirmuar asnjë version zyrtar deri më sot.
Gjatë këtyre tre viteve, emri i Martinajt ka vazhduar të jetë i pranishëm në titujt e mediave, shpeshherë i përmendur në lidhje me përplasjet kriminale brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, mungesa e provave konkrete ka bërë që çështja të mbetet e pazgjidhur.
Disa ditë më parë, gazetari Elton Qyno bëri me dije se arrestimi i anëtarit të grupit të Shijakut, Aldo Avdyli, në Tiranë pak ditë më parë ka shumë gjasa që tashmë të kthejë sytë e SPAK të rasti i Ervis Martinaj.
Dosja e zhdukjes së tij ndodhet në Prokurorinë e Lezhës dhe është pezulluar, pasi nga hetimet nuk janë arritur të sigurohen prova që të hedhin dritë mbi pista të mundshme; nëse bëhet fjalë për
Dosja u regjistrua për akuzën “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit” kryer në formën e bashkëpunimit, por pas disa muajsh hetime, çështja nuk solli asgjë veç disa kontrolleve në shtëpitë e Astrit Avdylit, Jasin Avdylit dhe Aldo Avdylit.
Grupi i Shijakut, anëtar i të cilit është dhe Aldo Avdylaj, dyshohet se është i lidhur dhe me zhdukjen e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj. Drejtuesit e tij u morën në pyetje nga Prokuroria, por mohuan të kenë pasur kontakte për të strehuar biznesmenin, sepse ishin në “Arrest shtëpie” dhe monitoroheshin nga Policia e Shtetit./e.t
