Last Updated on 06/11/2026 by EL
THE BANKER — Raport special, nëntor 2026
Protestat vazhdojnë, ndërsa një ekonomi më e fortë tërheq investime rekord.
ABI Bank po zgjeron praninë e saj në të gjithë Shqipërinë, duke ndërthurur ekspertizën në financimin e korporatave me një prani gjithnjë e më të madhe në shërbimet bankare për individët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.
Ekonomia e Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi. Turizmi, infrastruktura dhe rritja e investimeve private po krijojnë mundësi të reja, ndërkohë që bizneset dhe konsumatorët po bëhen gjithnjë e më kërkues ndaj shërbimeve që presin nga bankat e tyre. Përparimi i vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian po i shton një dimension tjetër këtij transformimi, duke mbështetur investimet, integrimin më të fortë me tregjet evropiane dhe përafrimin gradual me standardet e BE-së.
Gjatë dekadës së fundit, American Bank of Investments (ABI Bank), investimi më i madh amerikan në vend, e ka ndërtuar pozicionin e saj mbi një ide të thjeshtë: të qëndrojë pranë klientëve, të kuptojë bizneset e tyre dhe të ofrojë financim që pasqyron nevojat e tyre, në vend që të mbështetet vetëm në zgjidhje të standardizuara. Banka është rritur paralelisht me ekonominë shqiptare, duke përfituar nga zgjerimi i vazhdueshëm i Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe, në veçanti, nga zhvillimi i shpejtë i turizmit.
Ekspertiza në financimin e korporatave
Kjo qasje ka qenë veçanërisht e rëndësishme në sektorin bankar të korporatave. ABI ka zhvilluar një ekspertizë të fortë në sektorë si turizmi, infrastruktura, energjia dhe pasuritë e paluajtshme, ku investimet priren të jenë më të mëdha, më komplekse dhe afatgjata.
Banka ka ndërtuar atë që e konsideron një nga ekipet më të forta në treg për vlerësimin dhe miratimin e kredive të korporatave, duke ndërthurur ekspertizën sektoriale me analizën e disiplinuar të kreditimit. Kjo është përkthyer në një portofol kredish për korporatat, të cilin drejtuesit e konsiderojnë ndër më të mirët për nga performanca në sektorin bankar shqiptar.
“Ambicia jonë nuk ka qenë kurrë thjesht të bëhemi një bankë më e madhe. Ne duam të jemi partneri kryesor financiar i klientëve tanë. Kjo do të thotë të kuptojmë se në ç’drejtim po shkon ekonomia e Shqipërisë, të qëndrojmë pranë njerëzve dhe bizneseve që po e nxisin këtë ndryshim dhe të kemi disiplinën dhe ekspertizën e nevojshme për t’i mbështetur ata në afat të gjatë”, thotë Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i ABI Bank.
Integrimi i NOA-s, institucioni i dytë më i madh i mikrofinancës dhe i kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend, në nëntor 2025, ka zgjeruar rrjetin e shpërndarjes së shërbimeve të ABI-t dhe ka forcuar praninë e saj në financimin e mikro-sipërmarrjeve dhe bizneseve të vogla. Rrjeti i bankës pritet të arrijë në rreth 70 degë deri në fund të vitit 2027, duke e bërë atë një nga bankat me shtrirjen më të madhe fizike në vend.
“Ambicia jonë nuk ka qenë kurrë thjesht të bëhemi një bankë më e madhe. Ne duam të jemi një partner financiar më i mirë dhe më i rëndësishëm për klientët tanë.”
Zgjerimi i ofron gjithashtu ABI-t një platformë për të parë përtej Shqipërisë. Ambicia e bankës është të zgjerojë gradualisht praninë e saj në Kosovë dhe, me kalimin e kohës, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke u mbështetur në përvojën e saj.
Ky rrjet më i gjerë do të mbështesë ambiciet e ABI-t në shërbimet bankare për individët. Një pjesë e rëndësishme e strategjisë është rritja e pjesës së bankës në tregun e shërbimeve bankare për individët, ku kreditë hipotekore do të luajnë një rol kyç.
ABI planifikon të prezantojë oferta të reja konkurruese për kreditë hipotekore, të drejtuara ndaj klientëve që investojnë në banesat e tyre. Ambicia është që në kreditimin hipotekor të sjellë të njëjtin nivel përsosmërie, vlerësimi të disiplinuar të kredive dhe njohjeje të klientëve, që ka qenë në themel të suksesit të ABI-t në financimin e korporatave.
Për ABI-n, prania fizike dhe digjitalizimi plotësojnë njëri-tjetrin. Teknologjia mund t’i bëjë shërbimet e përditshme bankare më të shpejta dhe më të thjeshta, ndërsa degët dhe menaxherët e marrëdhënieve me klientët mbeten të rëndësishëm në rastet kur klientët kanë nevojë për këshillim ose zgjidhje financiare të përshtatura, veçanërisht për vendime financiare më komplekse dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të forta e afatgjata me klientët.
Rritja e ardhshme
Prioritetet e ABI-t përfshijnë zgjerimin e shërbimeve bankare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe korporatat e mesme, zgjerimin e shërbimeve për individët, ruajtjen e cilësisë së portofolit dhe vazhdimin e investimeve në teknologji. Banka synon të mbetet aktive në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe në investimet që lidhen me zhvillimin ekonomik afatgjatë të Shqipërisë.
Njerëzit janë në qendër të kësaj strategjie. Ndërsa ABI zgjerohet, sfida e drejtuesve është të ruajnë karakteristikat që e kanë ndihmuar bankën të rritet: aksesueshmërinë, vendimmarrjen e shpejtë, përgjegjshmërinë dhe një ndjenjë të fortë përkatësie dhe përgjegjësie në të gjithë organizatën.
ABI hyn në këtë fazë të re nga një pozicion gjithnjë e më i konsoliduar. Banka aktualisht raporton aktive totale prej 1,9 miliardë dollarësh, fitim para tatimit prej 56,6 milionë dollarësh dhe kapital të nivelit të parë (Tier 1) prej 164 milionë dollarësh për vitin 2025. Në shtator 2026, kapitali i nivelit të parë arrinte në 191 milionë dollarë dhe treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 23 për qind.
Mundësia tani është që kjo platformë më e fortë të përdoret në një pjesë më të gjerë të ekonomisë shqiptare, nga financimi i investimeve në turizëm dhe infrastrukturë te mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sipërmarrësve dhe familjeve që blejnë banesat e tyre.
Ndërsa Shqipëria vazhdon të zhvillohet, objektivi i ABI-t mbetet i qartë: të qëndrojë pranë njerëzve dhe bizneseve që investojnë në të ardhmen e vendit, të rritet bashkë me ta dhe ta shtrijë gjithnjë e më shumë këtë qasje në rajonin më të gjerë. /The Banker është një botim i “Financial Times”.-ET
