Last Updated on 29/12/2025 by Monika
U diskutua bilanci i punës së SPAK për vitin 2025, me fokus hetimet që kanë tronditur skenën politike dhe debatet mbi kufijtë e kompetencave të këtij institucioni.
Gazetarët Klodiana Lala dhe Enton Abilekaj shkëmbyen qëndrime të kundërta lidhur me akuzat për tejkalim kompetencash nga ana e SPAK, veçanërisht mbi aludimet se është përgjuar një anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë diskutimit, Enton Abilekaj ngriti shqetësimin për hetime të mundshme pa vendim gjykate, duke theksuar se një praktikë e tillë do të përbënte shkelje të rëndë ligjore dhe cenim të garancive kushtetuese.
Nga ana tjetër, Klodiana Lala theksoi se asnjë prokuror nuk mund të kryejë përgjime pa një procedim penal të regjistruar dhe pa bazë ligjore. Ajo u shpreh se, nëse provohet se një prokuror ka përgjuar në mënyrë të paligjshme një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ai duhet të përballet me pasojat më të rënda ligjore.
Debati u fokusua edhe te roli i Gjykatës Kushtetuese. Sipas Lalës, vëmendja është përqendruar kryesisht te SPAK, ndërkohë që thelbi i problematikës qëndron te funksionimi i gjykatës. Ajo shtoi se prokurorët janë vetë subjekte të hetueshme dhe nuk qëndrojnë mbi ligjin.
Nga ana e tij, Abilekaj argumentoi se Prokuroria, si palë akuzuese, është njëkohësisht palë në procesin gjyqësor, duke theksuar nevojën për një balancë më të qartë mes rolit të hetimit dhe garancive procedurale./mxh
