Last Updated on 22/08/2026 by Anisa
Një rast i dyshuar i trafikimit ndërkombëtar të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë është goditur në Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor”.
Policia ka sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC, ndërsa vlera e lëndës narkotike në treg përllogaritet në rreth 1 milion euro. Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë Kufitare, Forcën e Posaçme Operacionale dhe strukturat doganore.
Sipas Policisë, pas një hetimi të thelluar dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, në Portin e Durrësit u sekuestruan 127 pako me kanabis të llojit “Gelato”, me peshë totale rreth 80 kilogramë.
Hetimet kanë zbuluar dyshime se droga sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të modifikuar të një automjeti të porositur për blerje në Kanada.
Pas mbërritjes në Shqipëri, sipas hetuesve, lënda narkotike dyshohet se do të shpërndahej në territorin shqiptar dhe më tej në Kosovë.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.
Në pranga kanë përfunduar tre shtetas kosovarë: T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç dhe B. J., 40 vjeç. Ata dyshohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario të Kanadasë. Edhe ndaj tyre rëndon dyshimi për përfshirje në trafikimin e lëndëve narkotike.
Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e përfshirë kishin role të ndryshme në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe rolit të secilit prej të përfshirëve./ad
