Tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe një tjetër rezulton ende i zhdukur pas shembjes së një skelë ndërtimi në një fabrikë të çelikut në Japoni.
Ngjarja ndodhi të martën në qytetin Kawasaki, në një kantier ndërtimi që i përket kompanisë JFE Steel. Sipas transmetuesit publik NHK, shërbimet e emergjencës morën njoftimin rreth orës 16:30 me orën lokale, pasi një skelë rreth 40 metra e lartë u shemb papritur.
Nga incidenti, pesë punëtorë ranë nga lartësia. Tre prej tyre pësuan lëndime serioze dhe ndodhen në gjendje të pavetëdijshme, ndërsa një tjetër është i shtruar në spital me plagë më të lehta. Një punëtor tjetër vazhdon të jetë i zhdukur dhe ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet.
Autoritetet lokale, përfshirë policinë dhe zjarrfikësit, kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit./mxh
