Last Updated on 10/09/2026 by EL
Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një anije ndërkombëtare mallrash u përfshi nga zjarri në një kantier detar në qytetin portual Qingdao, në lindje të Kinës.
Sipas mediave shtetërore kineze, në bordin e anijes ndodheshin 42 persona. 17 prej tyre u evakuuan, përfshirë pesë persona që pësuan lëndime.
Agjencia zyrtare kineze Xinhua publikoi një fotografi që identifikonte anijen si Ocean Melody, e cila lundron nën flamurin e Liberisë, sipas të dhënave të platformës publike të gjurmimit të anijeve VesselFinder.
Anija ishte ankoruar për riparime në Beihai Shipbuilding Co., në portin e Qingdaos, një prej qendrave të rëndësishme të transportit detar në bregdetin verilindor të Kinës.
Zjarri shpërtheu rreth orës 11:15 me kohën lokale dhe flakët u shuan rreth orës 14:30, sipas mediave shtetërore. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e personave të zhdukur.
Presidenti kinez Xi Jinping urdhëroi ndërhyrje urgjente për shpëtimin e personave që rezultojnë të zhdukur. Kryeministri Li Qiang kërkoi që ekipet e emergjencës të përqendrohen te personat e bllokuar dhe që të plagosurit të marrin menjëherë trajtim mjekësor.
Xi Jinping kërkoi gjithashtu një hetim të plotë mbi incidentin dhe masat për eliminimin e rreziqeve të zjarrit, duke paralajmëruar për nevojën e parandalimit të aksidenteve të tjera.

