Last Updated on 12/11/2025 by Monika
Shtatë burra kanë mbijetuar pas gjashtë ditësh të humbur në det, pasi gomonia e tyre u përmbys në Mesdhe, njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Sipas agjencisë së OKB-së, mjeti lundrues prej gome, që mbante 49 persona – 47 burra dhe dy gra – u përmbys më 3 nënTOR, gjashtë orë pas nisjes nga qyteti bregdetar libian i Zuwara-s.
Shtatë të mbijetuarit janë nga Sudani, Nigeria, Kameruni dhe Somalia. Ata u shpëtuan pas gjashtë ditësh nga autoritetet libiane pranë fushës naftëmbajtëse Al-Buri.
“Fatkeqësisht, 42 persona mbeten të zhdukur dhe dyshohet se kanë humbur jetën – përfshirë 29 nga Sudani, tetë nga Somalia, tre nga Kameruni dhe dy nga Nigeria,” thuhet në deklaratën e IOM-it.
Kjo tragjedi e çon numrin e viktimave në rrugën qendrore të Mesdheut mbi 1,000 për vitin 2025, sipas projektit Missing Migrants të IOM-it. Vetëm përgjatë bregdetit libian janë regjistruar të paktën 527 vdekje që nga fillimi i vitit./ MXH
