Drejtuesja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, ka reaguar ashpër lidhur me trasmetimin në disa media të pamjeve të rënda nga aksiedenti tragjik që ndodhi këtë të diel në Durrës, ku si pasojë mbetën viktima dy fëmijë ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi e cilëson si një abuzim me dhimbjen njerëzore dhe një fatkeqësi që disa media dhe gazetarë e kanë përdorur vetëm për të marrë klikime.
Krasniqi bën thirrje që të ndahet informacion dhe jo traumë përmes raportimeve, pa humbur aspektin njerëzor nga gazetaria.
“Thirrje për gazetarët dhe drejtuesit e mediave!
Mjaft! Kjo që po ndodh nuk është gazetari – është abuzim me dhimbjen njerëzore. Nuk është informim kur dhuna, tragjedia dhe fatkeqësia kthehen në uri për klikime.
Të “vrasësh” dhe rivrasësh, të ekspozosh plagë të hapura dhe të ushqesh publikun me ulërima dhimbjeje dhe tronditjen njerëzore, është shkelje e rëndë e etikës dhe e çdo standardi.
Gazetarë dhe drejtues të mediave mbani përgjegjësi! Ju nuk jeni vetëm transmetues lajmesh – jeni formësues të ndërgjegjes publike. Çdo fjalë e papërgjegjshme lëndon, çdo titull i tepruar dëmton, çdo kufi i kaluar rrënon besimin te Ju!
Respektoni dinjitetin! Mbroni viktimat. Ndani informacion, jo traumë.
Nëse gazetaria humbet njerëzoren, ajo humbet gjithçka”,-shkruan Krasniqi./mxh
