Last Updated on 18/11/2026 by EL
Ekonomia shqiptare mund të rritet me rreth 11% dhe të krijojë 33 mijë vende të reja pune në periudhën afatmesme, nëse zbatohen reforma për përmirësimin e konkurrueshmërisë tregtare. Gjatë prezantimit të raportit të Bankës Botërore, përfaqësuesi i saj në Shqipëri, Massimiliano Paoluçi, evidentoi pengesat që po kufizojnë produktivitetin dhe zhvillimin e eksporteve.“Vështirësia kryesore tregtare e Shqipërisë nuk janë më thjesht tarifat. Në fakt janë kostot dhe cilësia e rregullave, shërbimeve, logjistikës, zbatimit, aftësive dhe zotësive të ndërmarrjeve.
Masat jotarifore mbi mallrat kanë vlerë thuajse tre herë më të madhe sesa tarifat lidhur me kostot e tregtisë. Kufizimet ndaj shërbimeve kushtojnë edhe më shumë, veçanërisht në sektorë themelorë si transporti, financat dhe shërbimet profesionale.
Përfitimet e mundshme nga reformat janë të konsiderueshme. Sipas një skenari të modeluar, ngushtimi i gjysmës së hendekut me vendin me performancën më të mirë në rajon, sa i përket rregulloreve të shërbimeve, mund ta rrisë PBB-në me rreth 11 përqind dhe të mbështesë rreth 33.000 vende pune më shumë në periudhën afatmesme, pasi reformat të jenë zbatuar plotësisht”, tha Paoluçi.
Sipas Bankës Botërore, zbatimi I reformave do të krijonte mundësi për diversifikimin e eksporteve, rritjen e produktivitetit dhe hapjen e vendeve të punës më të paguara./et
