Last Updated on 06/05/2026 by EL
Zona e “Tregu Çam” do të ketë një transformim të infrastukturës publike, ku do të realizohet edhe rehabilitimi i fasadave të bizneseve me stil neoklasik, reklama të unifikuara dhe ndriçim dekorativ, duke i dhënë një identitet të ri estetik dhe funksional. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, zhvilloi një inspektim në zonën e njohur si “Tregu Çam”, ku po vijojnë punimet për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për banorët dhe bizneset.
Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se, ndonëse bëhet fjalë për një zonë shumë qendrore të kryeqytetit, ajo ka vuajtur ndër vite nga mungesa të theksuara infrastrukturore, si pasojë e rrjetit të amortizuar dhe rritjes së kërkesës për shërbime. Ajo nënvizoi se një nga problemet më të mëdha, ai i kanalizimeve të ujërave të zeza, tashmë është zgjidhur përfundimisht.
“Jemi në një zonë shumë qendrore të Tiranës, por për hir të së vërtetës një zonë që ka pasur mungesa të shumta infrastrukture, qoftë kjo nga infrastruktura e vjetër, qoftë kjo nga ajo që është shtuar rishtazi, si pasojë e gjithë nevojës që ka pasur zona për shërbime. Kjo zonë u shërben edhe qindra të tjerëve çdo ditë, për nga shërbimet që ofron dhe për nga rëndësia e pozicionimit”, deklaroi Ristani.
Ajo apeloi për mirëkuptim dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve dhe sipërmarrësve, duke theksuar se përfundimi i projektit do të sjellë një standard më të lartë jetese dhe shërbimesh në këtë zonë të rëndësishme të kryeqytetit.
“Ky është një nga ato projekte që ka pasur më shumë negociata dhe më shumë diskutime dhe më shumë nevoja se pothuajse çdo projekt tjetër. Të gjithë ato projekte që i përkasin qendrës janë të tilla sepse përveç banorëve prekin shumë edhe shërbimet, prekin njësi biznesi, prekin edhe të gjithë pjesën e gamës së gjerë të komplikimit të një qyteti të madh i cili është në procesin e vet të ofrimit të shërbimeve në mënyrë sa më cilësore edhe të ofrimit jetesës gjithashtu sa më cilësore. Jemi në mes të punimeve. Këtu do të kemi akoma punë për të bërë qoftë me trasetë e rrugëve, me trotuaret, me kalimet e këmbësoreve apo edhe me unifikimin e bizneseve dhe të fasadave të ndërtesave i cili është një proces akoma në punë e sipër”, theksoi Ristani.
Rikualifikimi i bllokut të Tregut Çam, një nga zonat më të frekuentuara pranë qendrës së Tiranës, synon transformimin e plotë të infrastrukturës rrugore dhe njësive tregtare në këtë hapësirë urbane. Projekti përfshin rehabilitimin e rrugëve “Shyqyri Berxolli”, “Reshit Çollaku” dhe “Camëria”, ndërtimin e trotuareve të reja, ndriçim modern LED, rrjet të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut, sinjalistikë rrugore, elemente urbane dhe gjelbërim./et
