Pas arrestimit të tij, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, është vënë re duke u shfaqur me veshje të ndryshme në çdo paraqitje publike, duke nxitur komente dhe spekulime në media. Megjithatë, arsyeja e këtij ndryshimi nuk lidhet me zgjedhje stilistike, por me kushtet e udhëtimit dhe ndryshimet ekstreme të klimës gjatë transferimit të tij.
Menjëherë pas arrestimit, Maduro u dërgua në një anije luftarake amerikane, ku edhe u publikuan pamjet e para pas operacionit të forcave speciale Delta. Në këto pamje, ai shihet i veshur me një xhaketë sportive gri dhe një bluzë të bardhë. Burime pranë operacionit bëjnë të ditur se në momentin kur komandot amerikane e nxorën nga dhoma ku ndodhej së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores, ai ishte veshur lehtë, duke mbajtur vetëm bluzën e bardhë, në përputhje me temperaturat e larta në Venezuelë.
Ditën e arrestimit, në Caracas temperaturat arritën rreth 26 gradë Celsius, më të larta se mesatarja e muajit janar, e cila zakonisht sillet rreth 22 gradë. Kjo shpjegon edhe veshjen e lehtë të Madurros në fazën e parë të ndalimit.
Situata ndryshoi gjatë udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara. Me afrimin në New York, Maduro u pa me bluzë me mëngë të gjata, kapuç dhe më pas xhaketë të zezë, për t’u përshtatur me temperaturat shumë të ulëta. Në momentin e mbërritjes, termometri në qytet shënonte deri në -6 gradë Celsius, ndërsa klima e lagësht dhe dimri i ashpër e bëjnë të ftohtin të ndihet edhe më ekstrem, veçanërisht për persona të mësuar me klimë të ngrohtë dhe të thatë.
Sipas studimeve shkencore, përfshirë një studim të Universitetit të Uiskonsinit, kalimi i menjëhershëm nga një klimë e ngrohtë në një klimë të ftohtë rrit rrezikun për sëmundje të frymëmarrjes, si kollë, teshtima, dhimbje fyti dhe lodhje. Për këtë arsye, autoritetet kanë lejuar që ai të vishet më trashë, me pulovër, xhaketë dhe kapuç, për të ruajtur shëndetin gjatë paraburgimit.
Ndërkohë, pantallonat dhe këpucët e Madurros nuk kanë ndryshuar. Ai mban çorape të trasha të bardha dhe papuçe, veshje standarde për të gjithë të arrestuarit në Shtetet e Bashkuara. Kjo praktikë synon të reduktojë rrezikun e dëmtimeve dhe të parandalojë përhapjen e baktereve në ambientet e përbashkëta të paraburgimit./mxh
