Presidenti amerikan Donald Trump po përgatit një urdhër ekzekutiv që synon të zgjerojë aksesin në karburantin diezel të përjashtuar nga taksat, bëjnë të ditur dy burime të njohura me çështjen, sipas Reuters.
Urdhri mund të shpallet që sot.
Masa vjen në një moment kur çmimet e diezelit në SHBA janë rritur ndjeshëm.
Çmimi arriti muajin e kaluar një rekord prej rreth 6,50 dollarësh për gallon, duke përbërë një rrezik politik për Trumpin përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Diezeli është veçanërisht i rëndësishëm për transportin rrugor të mallrave dhe rritja e kostove të tij ndikon drejtpërdrejt në çmimet e transportit dhe të produkteve.
Sipas burimeve, urdhri mund të parashikojë disa mënyra për të rritur furnizimin me diezel pa taksa.
Një mundësi është zgjerimi i përdorimit të të ashtuquajturit “red diesel”, diezel i ngjyrosur me të kuqe që përdoret kryesisht në bujqësi dhe në disa mjete që nuk qarkullojnë në rrugët publike.
Një burim i tretë tha se urdhri mund t’i kërkojë Departamentit amerikan të Transportit të bashkëpunojë me shtetet për të pezulluar ose hequr përkohësisht taksat mbi diezelin që përdoret në rrugë.
Rritja e çmimeve të karburantit lidhet pjesërisht me luftërat në Iran dhe Ukrainë, të cilat kanë shkaktuar sulme ndaj rafinerive në Rusi dhe në Lindjen e Mesme dhe kanë krijuar shqetësime për furnizimin global me produkte të rafinuara nafte.
Ndërkohë, vendet e G7-s njoftuan javën e kaluar se do të nxirrnin në treg 100 milionë fuçi diezel, pas presionit nga presidenti Trump, i cili kishte shqyrtuar edhe mundësinë e ndalimit të eksporteve amerikane të diezelit.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se sa nga kjo sasi përfaqëson furnizim të ri dhe sa është pjesë e angazhimeve të një marrëveshjeje globale të marsit.
Në thelb, administrata Trump po përpiqet të ulë koston e diezelit për fermerët, transportuesit dhe përdoruesit e tjerë, duke përdorur një kombinim të lehtësimit fiskal dhe rritjes së disponueshmërisë së karburantit.
Masat synojnë gjithashtu të kufizojnë ndikimin politik të çmimeve të larta të karburantit përpara zgjedhjeve të mesmandatit./mxh
