Karoline Leavitt largohet nga posti i sekretares së shtypit, por jo nga rrethi i Donald Trump. Vendimi i saj për t’u tërhequr pas lindjes së fëmijës së dytë i hap presidentit një problem të papritur: kush mund ta zëvendësojë një nga zërat më besnikë dhe më agresivë të administratës?
Karoline Leavitt nuk ishte thjesht zëdhënësja e Donald Trump. Në pak kohë, ajo u kthye në një prej figurave më të besuara të presidentit dhe në një nga mbrojtëset më të zellshme të politikave të tij.
Largimi i saj nga posti, i njoftuar të mërkurën, vjen për arsye familjare. Leavitt, 28 vjeçe, tha se pas lindjes së vajzës së saj të dytë, më 1 maj, kuptoi se puna kërkonte një nivel kohe dhe angazhimi që nuk mund t’ua kushtonte më fëmijëve të saj.
Por Trump nuk duket se dëshiron ta humbasë plotësisht. Presidenti e vlerësoi Leavitt si një nga “ndihmëset e tij më të besueshme” dhe bëri të ditur se ajo do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare e jashtme.
Pse është kaq e vështirë të zëvendësohet?
Detyra e sekretarit të shtypit të Trump nuk është aspak e zakonshme. Presidenti ndryshon shpesh qëndrime, ndërhyn drejtpërdrejt në debatet publike dhe komunikon vetë nëpërmjet rrjeteve sociale, intervistave dhe deklaratave spontane.
Leavitt kishte një avantazh që nuk blihet lehtë: ajo e njihte mirë mënyrën e komunikimit të Trump dhe fliste me gjuhën e bazës së tij politike. Në konferencat për shtyp, ajo shpesh nuk zgjidhte të jepte përgjigje tradicionale. Në vend të kësaj, sulmonte pyetjet, gazetarët ose motivet e tyre dhe e kthente konferencën në një arenë politike. Pikërisht kjo e bëri shumë të pëlqyer nga mbështetësit e Trump.
Përplasja me mediat
Një nga gjurmët më të forta të Leavitt në Shtëpinë e Bardhë ishte ndryshimi i marrëdhënies me median. Administrata mori më shumë kontroll mbi vendet që u rezervoheshin gazetarëve në eventet presidenciale dhe në Air Force One. Në grupin tradicional të medias u përfshinë edhe transmetues, podkasterë dhe figura të medias konservatore.
Vendimi shkaktoi kritika të forta nga organizatat tradicionale të medias, të cilat e panë si një përpjekje për të dobësuar rolin e gazetarëve të akredituar.
Përplasja më e bujshme ishte ajo me Associated Press. Agjencia u përjashtua nga disa aktivitete të Shtëpisë së Bardhë pasi refuzoi të ndryshonte udhëzuesin e saj editorial për emërtimin e Gjirit të Meksikës, pas vendimit të Trump për ta quajtur “Gjiri i Amerikës”.
Një zë që Trump i besonte
Leavitt kishte diçka që mund t’i mungojë pasardhësit të saj: akses dhe besim të drejtpërdrejtë te presidenti. Ajo ishte shpesh në dhomë gjatë momenteve të rëndësishme dhe mund të kuptonte se çfarë kërkonte Trump përpara se mesazhi të dilte publikisht. Kjo e bënte jo vetëm zëdhënëse, por edhe një ndërmjetëse të rëndësishme mes presidentit dhe medias.
Nëse Trump zgjedh një figurë që nuk është pjesë e rrethit të tij të ngushtë, pasardhësi mund ta ketë shumë më të vështirë të fitojë të njëjtin autoritet.
A do ta marrë Trump vetë rolin?
Sipas CNN, një nga skenarët që tashmë mund të nxisë spekulime është nëse Trump do të përpiqet të bëjë atë që bën më mirë: të komunikojë vetë. Presidenti tashmë është një nga komunikuesit politikë më aktivë në SHBA. Postimet e tij, intervistat dhe daljet e paplanifikuara shpesh gjenerojnë më shumë vëmendje sesa një konferencë tradicionale për shtyp. Megjithatë, kjo nuk e zgjidh problemin.
Një sekretar shtypi duhet të përballet çdo ditë me dhjetëra pyetje, të shpjegojë vendimet e administratës dhe të menaxhojë marrëdhënien me gazetarët. Leavitt e bënte këtë duke përdorur të njëjtën gjuhë politike si presidenti.
Për mbështetësit e Trump, Leavitt pritet të mbetet një figurë e rëndësishme e lëvizjes MAGA. Për kritikët e saj, trashëgimia do të lidhet me përplasjen e fortë me median dhe me një Shtëpi të Bardhë që i dha vetes më shumë kontroll mbi mënyrën se si gazetarët mund të raportojnë për presidentin. Në të dyja rastet, një gjë është e qartë: Trump humbet një nga njerëzit që dinte më mirë se kushdo tjetër si ta përkthente stilin e tij politik në ekran.
Dhe tani presidenti duhet të gjejë dikë që jo vetëm të flasë në emër të tij, por edhe të flasë si Trump. Kjo mund të jetë pjesa më e vështirë e zëvendësimit të Karoline Leavitt./kb
