Kanadaja ia detyron ekzistencën e saj të vazhdueshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha sot presidenti i SHBA-së Donald Trump, ndërsa kritikoi fjalimin e kryeministrit kanadez Mark Carney në të cilin ai dënoi masat shtrënguese nga fuqitë e mëdha, sipas “CBC News”.
Duke folur në Davos të Zvicrës, ku Trump këmbënguli për blerjen e Greonlandës nga SHBA-ja, ai tha se i duhej territori danez për “Kupolën e Artë” të propozuar nga vetë ai, një sistem mbrojtjeje nga raketat që mund të mbulojë Amerikën e Veriut.
Trump tha se kupola do ta mbronte Kanadanë për shkak të gjeografisë dhe vendi nuk ishte mjaftueshëm mirënjohës që një sistem i tillë ishte në proces.
Carney nuk ka qenë i angazhuar në të kaluarën në lidhje me pjesëmarrjen ose pagesën e Kanadasë për atë që Trump po propozon.
“Kanadaja merr shumë dhurata falas nga ne. Ata duhet të jenë mirënjohës, por nuk janë”, tha Trump.
“E pashë kryeministrin tuaj dje. Ai nuk ishte aq mirënjohës – ata duhet të jenë mirënjohës ndaj SHBA-së. Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Trump, një referencë e dukshme për mbrojtjen ushtarake që SHBA-ja i ofron kontinentit.
“Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që do të bësh deklaratat e tua”, tha ai, duke iu referuar kryeministrit kanadez, i cili u largua nga samiti para se Trump të mbante fjalimin e tij. Të dy nuk u takuan në margjinat e samitit.
Pa e përmendur Trump me emër, Carney iu referua “hegjemonisë amerikane” dhe tha dje se fuqitë botërore po e përdornin integrimin ekonomik si “armë”.
“Kanadezët e dinë se supozimi ynë i vjetër dhe i rehatshëm se gjeografia dhe anëtarësimi ynë në aleancë automatikisht na jepnin prosperitet dhe siguri nuk është më i vlefshëm”, tha Carney.
Ndërsa përballet me këtë dinamikë të re, Carney tha se Kanadaja duhet të ishte “parimore dhe pragmatike” dhe të kthehej për të ndërtuar vendin dhe për të diversifikuar marrëdhëniet tregtare – për t’u bërë më pak e varur nga vende si SHBA-ja, tani që është e qartë se integrimi mund të çojë në “nënshtrim”.
“Kjo qasje izolacioniste, ku ekziston një “botë fortesash”, do t’i bëjë vendet më të varfra, të brishta dhe më pak të qëndrueshme”, tha Carney.
“Por, kjo po vjen gjithsesi dhe Kanadaja duhet të punojë me aleatë me të njëjtat mendje, aty ku është e mundur, për të kundërshtuar dominimin nga vendet më të mëdha, më të pasura dhe më të armatosura mirë”, shtoi ai.
“Rendi i vjetër nuk po kthehet. Nuk duhet ta vajtojmë. Nostalgjia nuk është një strategji. Por nga thyerja, ne mund të ndërtojmë diçka më të mirë, më të fortë dhe më të drejtë”, tha dje Carney në Davos.
Gjatë fjalimeve të tij të gjata dhe të paqarta, Trump iu referua sërish Kanadasë ndërsa po reklamonte përfitimet e supozuara të regjimit të tij global të tarifave.
Në një konferencë për shtyp dje në Shtëpinë e Bardhë, Trump përmendi problemet në industrinë automobilistike të Kanadasë si një nga arritjet e tij.
Trump u tha punonjësve në fabrikën “Ford në Dearborn”, javën e kaluar se amerikanët nuk kishin nevojë për makina të prodhuara në Kanada.
Automjetet janë eksporti i dytë më i madh kanadez për nga vlera, me 46,5 miliardë dollarë në vitin 2024, nga të cilat 92 % u eksportuan në SHBA.
Fabrikat e montimit të automjeteve në Brampton dhe Ingersoll, Ont., kanë qenë të bllokuara që kur Trump nisi luftën e tij tregtare.
Dhe disa prodhues makinash si “General Motors” dhe kompania mëmë e “Chrysler, Stellantis”, kanë njoftuar investime të reja në SHBA.
Megjithatë, pavarësisht retorikës së presidentit, të dhënat paraprake nga Byroja e Statistikave të Punës në SHBA tregojnë se në fakt ka pasur një tkurrje të vendeve të punës në industrinë e automobilave në jug të kufirit gjatë vitit të kaluar.
Fjalët e fundit të Trump vijnë gjithashtu një ditë pasi ai postoi një imazh të ndryshuar në media sociale të flamurit të SHBA-së mbi Kanadanë dhe Groenlandën./mxh
