Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , tha se pret të ketë një “takim të shkëlqyer” me homologun e tij kinez Xi Jinping, pak para se të mbërrijë sot në Korenë e Jugut, ku do të ketë një drekë pune me Presidentin Lee Jae-myung.
Trump u nis nga Tokio, ku ndodhej për një vizitë dy-ditore, dhe mbërriti sot në qytetin e Koresë së Jugut, Gyeongju, për të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Duke folur nga Air Force One, Trump tha se priste të kishte një “takim të shkëlqyer” me Xi të enjten, gjatë të cilit “do të zgjidhen shumë çështje”.
Trump la të kuptohej se do të ulte tarifat që i ka vendosur Kinës në hakmarrje për mënyrën se si e ka trajtuar krizën e fentanilit në SHBA.
Edhe pse negociatorët në Pekin dhe Uashington pretendojnë se kanë arritur një “kornizë” për një marrëveshje, mbetet për t’u parë nëse Trump dhe Xi, të cilët nuk janë takuar ballë për ballë në gjashtë vjet, do të finalizojnë një armëpushim në luftën tregtare dypalëshe që ka bërë që tregjet të bien ndjeshëm dhe të ndërpresin zinxhirët e furnizimit.
Megjithatë, presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se “nuk është i sigurt” nëse do të diskutojë me Xi çështjen delikate të Tajvanit, një ishull i pretenduar nga Pekini.
“Shumë shpejt”
Duke folur në një konferencë të liderëve të biznesit nga vendet e ASEAN-it para se të takohej me Lee-n, Trump tha se një marrëveshje tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut do të finalizohej “shumë shpejt”, megjithëse zyrtarët nga të dyja palët ishin më të kujdesshëm.
Të dy aleatët njoftuan një marrëveshje në fund të korrikut që i lejoi Seulit të shmangte tarifat më të larta të SHBA-së, pasi ranë dakord të bënin 350 miliardë dollarë investime të reja në Shtetet e Bashkuara. Por bisedimet mbi këto investime kanë ngecur.
Presidenti amerikan u takua më pas me Lee-n në Muzeun Kombëtar, ku iu dha një kurorë ari dhe “Urdhri i Madh i Mugunghwa-s”, dekorata më e lartë e vendit që mbahet si një brez i zbukuruar dhe medalje. “Do të doja ta mbaja atë tani”, tha Trump me shaka.
Në fillim të drekës së punës, e cila përfshinte një “ëmbëlsirë të artë”, presidenti i Koresë së Jugut u zotua se vendi i tij do të shpenzonte më shumë për mbrojtje.
Nga ana e tij, Trump premtoi të ndihmonte në “zgjidhjen” e problemeve të Koresë së Jugut me fqinjin e saj verior. Të dy Koretë janë teknikisht në luftë që kur nënshkruan një armëpushim në vitin 1953, jo një traktat paqeje.
“Ne do të punojmë shumë me Kim Jong Un-in dhe të gjithë për të zgjidhur problemet, sepse kjo ka kuptim”, theksoi presidenti amerikan, duke shpjeguar se nuk kishte arritur të “gjente kohën e duhur” për t’u takuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut./ K.M
