Presidenti amerikan po e armatos teknologjinë, por tarifat e tij dhe Brexit-i krijojnë një mundësi befasuese për të rimarrë kontrollin digjital të jetëve tona.
Cory Doctorow*
Kanë kaluar 25 vjet që kur nisa punën për Electronic Frontier Foundation, një organizatë jofitimprurëse amerikane e përkushtuar mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut në internet. Kam punuar në dhjetëra vende me aktivistë, politikanë dhe nëpunës civilë, duke u përpjekur të zbërthej pyetjet e ndërlikuara teknike që ngre interneti, dhe çdo diskutim përfundonte në të njëjtin vend. “Në rregull,” thoshin ata, “e ke shpjeguar qartë mënyrën më të mirë për të rregulluar teknologjinë, por ne nuk mund ta bëjmë.”
Pse jo? Sepse – pa përjashtim – përfaqësuesi tregtar i SHBA-së kishte mbërritur para meje në secilin prej atyre vendeve dhe e kishte bërë tmerrësisht të qartë se, nëse do ta rregullonin teknologjinë në një mënyrë që favorizonte njerëzit e tyre, industrinë e tyre dhe interesat kombëtare, SHBA do t’i mbytë me tarifa.
Por frikësimi është një gjë e çuditshme. Nëse dikush të kërkon t’u bindesh urdhrave të tij përndryshe do ta djegë shtëpinë, ti bindesh, dhe ai e djeg shtëpinë gjithsesi… mirë, je pak budalla nëse vazhdon të bësh atë që të thotë, apo jo?
Tarifat e Donald Trump-it kanë hapur një mundësi të re për teknologjinë nga e cila jemi bërë gjithnjë e më të varur. Sot, pothuajse e gjithë teknologjia jonë vjen nga kompani amerikane dhe na serviret si një menu fikse. Nëse dëshiron të flasësh me miqtë në një platformë të Meta-s, duhet të lejosh Mark Zuckerberg-un të përgjojë bisedat e tua. Nëse dëshiron një telefon që funksionon, duhet të lejosh Tim Cook-un e Apple-it të marrë 30 peni nga çdo paund që shpenzon dhe t’i japësh atij të drejtën e vetos mbi programet që mund të përdorësh. Nëse dëshiron të kërkosh në internet, duhet t’i tregosh Sundar Pichai-t të Google-it edhe çfarë ngjyre të brendshme vesh.
Ky është një vend vërtet i çuditshëm ku kanë përfunduar kompjuterët digjitalë. Çdo kompjuter në jetën tënde – nga telefoni te altoparlanti inteligjent, laptopi apo televizori – teorikisht është i aftë të ekzekutojë çdo program, përfshirë edhe ata që prodhuesit do të preferonin t’i shmangje. Kjo do të thotë se në teknologji nuk ka menu fikse: gjithçka mund të merret à la carte. Falë fleksibilitetit të pafund të kompjuterëve, çdo gardh dhjetëmetërsh që një bos i teknologjisë amerikane vendos në një produkt digjital nga i cili varet jeta jote, fton një programues të të sigurojë një shkallë katërmetërshe për ta kapërcyer me lehtësi. Megjithatë, ne miratuam ligje – me këmbënguljen e përfaqësuesit tregtar të SHBA-së – që ua ndalojnë programuesve të të ndihmojnë të ndryshosh pajisjet që zotëron, në mënyra të ligjshme, nëse prodhuesi kundërshton. Kjo është një nga arsyet që çon në atë që unë e quaj “enshittification” të teknologjisë.
Ekziston vetëm një arsye pse bota nuk po vlon nga produkte dhe projekte jashtëzakonisht fitimprurëse që do ta ç-enëshittifikonin teknologjinë e dëmtuar amerikane: partnerët (e dikurshëm) tregtarë u detyruan me bullizëm të miratonin ligje “anti-anashkalim”, që ndalojnë llojin e inxhinierisë së kundërt që është parakusht për të modifikuar një produkt ekzistues dhe për ta bërë atë të funksionojë më mirë për përdoruesit (në kurriz të prodhuesit). Por tarifat e Trump-it e ndryshojnë këtë realitet. Pazari i vjetër – mbaje sektorin tënd të teknologjisë të lidhur me zinxhirë, ekspozo njerëzit e tu ndaj plaçkitjes së të dhënave dhe parave të tyre, dhe në këmbim SHBA nuk do të vendosë tarifa – ka vdekur.
Kjo do të thotë se aktivistët për të drejtat digjitale, që prej vitesh përpiqen të heqin qafe ligjet “anti-anashkalim”, kanë një aleat të ri të mundshëm: investitorët dhe teknologët që do të donin të fitonin një mal me para duke gërryer marzhet e linjave më fitimprurëse të bizneseve më fitimprurëse që ka parë ndonjëherë bota.
Në Mbretërinë e Bashkuar, inxhinieria e kundërt kufizohet nga neni 6 i Direktivës Evropiane të Softuerit të vitit 2001. Kompanitë amerikane e kanë shfrytëzuar këtë fakt – që kompanitë britanike nuk mund t’i modifikojnë produktet e tyre – për të na përgjuar dhe për të na goditur me tarifa marramendëse. Tani, pas Brexit-it, Britania e Madhe është në një pozitë unike për ta shfrytëzuar këtë moment. Ndryshe nga kushërinjtë tanë evropianë, nuk kemi pse të presim shfuqizimin e direktivës së të drejtës së autorit përpara se ta heqim nenin 6 nga librat tanë të ligjit dhe kështu të nxjerrim diçka të mirë nga Brexit-i.
Për më tepër, ky është një model biznesi i provuar. Platformat amerikane të teknologjisë nxjerrin qindra miliarda dollarë në qira dhe tarifa të kota nga e gjithë bota. Siç u tha Jeff Bezos botuesve kur themeloi Amazon-in: “Marzhi juaj është mundësia ime.” Pse të mos veprojmë shpejt dhe t’ia thyejmë lodrat Jeff-it?
Të fitosh qindra miliarda dollarë në vit është një rrugë shumë më e mirë sesa të ndërtosh qendra të të dhënave për të mbështetur një sektor të inteligjencës artificiale që po humbet miliarda çdo vit dhe po shkon drejt një përplasjeje të madhe, dhe këtë mund ta bëjmë pa shkatërruar çfarë ka mbetur nga furnizimi ynë me ujë dhe pa rrëzuar rrjetin tonë energjetik që tashmë po kërcet. Ka shumë teknologë që janë dëbuar me forcë nga SHBA dhe që do ta kapnin me të dyja duart mundësinë për t’ua zbrazur miliardat ish-punëdhënësve të tyre. Ka gjithashtu shumë investitorë që kërkojnë një mundësi biznesi, suksesi i së cilës nuk varet nga sa monedha $TRUMP blejnë.
Nuk janë vetëm aktivistët e të drejtave digjitale, investitorët dhe sipërmarrësit që kanë interes në këtë betejë. Tani që Trump e ka bërë të qartë se SHBA nuk ka më aleatë apo partnerë tregtarë, por vetëm rivalë dhe kundërshtarë, të gjithë në botë po përpiqen të kuptojnë nëse mund t’i besojnë infrastrukturës amerikane të teknologjisë për qeveritë, bizneset dhe të dhënat personale.
Përgjigjja është një “jo” e fortë. Mjafton të shikosh Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e cila braktisi Microsoft Office dhe kaloi në një alternativë evropiane pasi Trump sanksionoi zyrtarët e saj për nxjerrjen e një urdhër-arresti ndaj gjenocidarit Benjamin Netanyahu. Menjëherë pasi Trump e denoncoi gjykatën, gjyqtarët humbën aksesin në të gjitha llogaritë e tyre Microsoft – email-et, dokumentet, kalendarët, librat e adresave. Gjykata, në thelb, u “bllokua”. Microsoft e mohon këtë, por mes gjyqtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe një monopoli amerikan të teknologjisë, e di kë besoj.
Trump është i aftë t’i shndërrojë kompanitë amerikane të teknologjisë në armë, dhe askush nuk e di se ku do të përfundojë kjo. Mbani mend se kur grabitës rusë vodhën miliona dollarë traktorë John Deere dhe i dërguan në Çeçeni, kompania ishte në gjendje të dërgonte një sinjal “vrasës” që i bëri ata të papërdorshëm.
Derisa të shfuqizojmë ligjin “anti-anashkalim”, ne nuk mund të bëjmë inxhinieri të kundërt të softuerit amerikan të cloud-it – qoftë databazë, përpunues teksti apo edhe traktor – për të zëvendësuar kodin pronësor amerikan me alternativa të hapura, të forta dhe të auditueshme, që do të mbronin sovranitetin tonë digjital. E njëjta gjë vlen për çdo teknologji të lidhur me serverë të operuar nga qeveri që mund të kenë interesa kundër nesh – fjala vjen, inverterët dhe bateritë diellore që blejmë nga Kina.
Kjo është gjendja e punëve në agimin e vitit 2026. Lëvizja për të drejtat digjitale ka dy aleatë të fuqishëm potencialë në betejën për të rimarrë të drejtën e njerëzve për të ndryshuar mënyrën se si funksionojnë pajisjet e tyre, për të rikthyer privatësinë dhe një marrëveshje të drejtë me teknologjinë: investitorët dhe skifterët e sigurisë kombëtare.
Pranohet se dera është hapur vetëm pak, por ajo ka qenë e mbyllur fort që nga kthesa e shekullit. Kur bëhet fjalë për një të ardhme më të mirë teknologjike, “të hapet pak” është propozimi më emocionues që kam dëgjuar prej dekadash.
*Cory Doctorow është shkrimtar, aktivist dhe gazetar/ Përgatiti për botim: L.Veizi
