Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u takua sot në 3 mars në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump, në një moment të ndjeshëm ndërkombëtar pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit. Takimi, i planifikuar për 30 minuta, pritet të zgjasë, për shkak të shumë çështjeve komplekse që kanë dalë në rendin e ditës, duke përfshirë konfliktin në Lindjen e Mesme, tarifat tregtare, marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe BE-së, si dhe çështje të tjera strategjike. Trump, në fillim të konferencës për mediat tha se Shtetet e Bashkuara ia kanë arritur qëllimit të tyre, pasi Irani është shkatërruar.
Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin çdo raport tregtar me Spanjën. Ky vendim erdhi pasi qeveria spanjolle refuzoi përdorimin e bazave të saj ushtarake për operacionet amerikane kundër Iranit. Të paktën 11 avionë karburanti KC-135T dhe KC-135R të SHBA-ve u larguan nga bazat spanjolle Rota dhe Morón të dielën, pasi Spanja kundërshtoi operacionin.
Ministri spanjoll i jashtëm, José Manuel Albares, tha se bazat ushtarake spanjolle nuk do të përdoren për asgjë që shkon jashtë marrëveshjes me SHBA-të dhe Kartën e OKB-së. Qeveria spanjolle konfirmoi se kishte ndaluar përdorimin e bazave të saj nga forcat amerikane, të përfshira në sulmin ndaj Iranit.
Ndërsa, Merz u shpreh se shpreson që lufta në Lindjen e Mesme të mbarojë. Ai tha se Gjermania qëndron pëkrah SHBA-ve, duke deklaruar se Irani qeveriset nga një regjim barbar.
Partia qendrore e majtë SPD, që qeveris në koalicion me Unionin ku bën pjesë Merz-i, e konsideroi këtë takim si një mundësi për të pyetur Trump mbi strategjinë amerikane për Iranin. Matthias Miersch, sekretari i përgjithshëm i SPD-së, tha se, sipas të dhënave aktuale, ligji ndërkombëtar nuk po respektohet dhe se shtetet që varen nga rendi ndërkombëtar duhet ta theksojnë këtë. Ai shtoi se SPD nuk ndjen keqardhje për regjimin iranian, por se dënon sulmin./mxh
