Protestat masive në Iran kundër krizës ekonomike po përshkallëzohen, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse demonstruesit paqësorë sulmohen nga forcat iraniane.
Trump, në një postim të shkurtër në rrjetin social, shkroi se SHBA-ja është e gatshme të veprojë. “Jemi të gatshëm dhe të mobilizuar për të vepruar”, duke nënkuptuar mundësinë e një ndërhyrjeje në mbrojtje të protestuesve.
Përgjigja e Teheranit ishte e menjëhershme. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e cilësoi paralajmërimin si “të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm”, duke shtuar se forcat e armatosura të Iranit janë në gatishmëri dhe “dinë saktësisht ku të qëllojnë” në rast sulmi.
“Presidenti Trump duhet të dijë se sulmet kriminale ndaj pronës publike nuk mund të tolerohen”, shkroi Araghchi në X, duke bërë paralelizëm me vendimin e presidentit amerikan për të vendosur Gardën Kombëtare brenda SHBA-së. Ai gjithashtu shtoi se Irani do të refuzojë me forcë çdo ndërhyrje në çështjet e brendshme.
Ndërkohë, një zëdhënës i policisë iraniane deklaroi se oficerët nuk do të lejojnë që “armiqtë” të kthejnë përshkallëzimin në kaos. Demonstratat janë përhapur në disa qytete, me përplasje të herëpashershme midis forcave të sigurisë dhe protestuesve.
Protestat nisën në Teheran, ku pronarët e dyqaneve u zemëruan nga rënia e thellë e monedhës iraniane, rialit, ndaj dollarit amerikan. Brenda pak ditësh, në protesta u përfshinë edhe studentët universitare dhe demonstratat u zgjeruan në qytete të ndryshme, me thirrje kundër udhëheqësve fetarë të vendit.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Fars dhe organizatës së të drejtave të njeriut Hengau, të paktën tetë persona kanë humbur jetën gjatë javës së protestave. Mes tyre, dy të rinj u vranë në qytetin perëndimor Lordegan, tre në Azna dhe një në Kouhdasht. Vdekjet e tjera janë raportuar në Fuladshahr dhe Marvdasht, por burimet zyrtare nuk specifikuan nëse viktimat ishin demonstrues apo pjesëtarë të forcave të sigurisë. BBC nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se do të dëgjojë kërkesat legjitime të protestuesve, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm Mohammad Movahedi-Azad paralajmëroi se çdo përpjekje për të krijuar paqëndrueshmëri do të marrë një përgjigje vendimtare.
Ambasadori i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së të dënojë deklaratën e Trumpit, duke theksuar se SHBA-të mbajnë përgjegjësi për çdo pasojë që mund të lindë nga kërcënimet e paligjshme dhe përshkallëzimi i mundshëm i situatës./kb
