Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar ashpër ish-presidentët Barack Obama dhe Joe Biden, si edhe Iranin, pas përgjigjes së Teheranit ndaj propozimit amerikan për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump akuzoi Iranin se “ka luajtur lojëra” me SHBA-në për dekada dhe paralajmëroi se “nuk do të qeshin më me Amerikën”.
Sulme të forta ndaj Obama-s dhe Biden-it
Trump kritikoi Obama-n për politikën ndaj Iranit, duke pretenduar se ish-presidenti amerikan i dha Teheranit miliarda dollarë dhe forcoi regjimin iranian.
Ai e quajti Obama-n “lider të dobët dhe të paaftë”, ndërsa për Biden përdori sërish shprehjen “Sleepy Joe”, duke thënë se administrata e tij ishte edhe më e keqe.
“Irani na ka sulmuar për 47 vite”
Në postimin e tij, Trump deklaroi se Irani ka sulmuar interesat amerikane për dekada dhe ka përfituar nga dobësia e administratave të mëparshme amerikane.
Ai shtoi se SHBA tashmë është “sërish e fortë” dhe paralajmëroi se situata do të ndryshojë për Teheranin.
Reagimi vjen pas përgjigjes së Iranit
Deklaratat e Trump erdhën vetëm pak orë pasi Irani iu përgjigj propozimit amerikan për armëpushim dhe përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve, Teherani nuk e ka refuzuar planin amerikan, por ka paraqitur kushtet e veta, duke kërkuar diskutime më të gjera për fundin e konfliktit në rajon dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, në përgjigjen iraniane nuk raportohet të ketë referenca konkrete për programin bërthamor, çështje që mbetet një nga kërkesat kryesore të SHBA-së./mxh
