Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me reagime gjithnjë e më të forta kundër planeve për të importuar naftë dizel nga Rusia, ndërsa lufta me Iranin vijon të ndikojë në çmimet globale të energjisë.
Të premten, Trump njoftoi se presidenti rus Vladimir Putin kishte rënë dakord të lironte menjëherë 300 mijë tonë naftë dizel, për t’i hedhur në “tregun amerikan dhe atë global”, të ndjekura nga disa dërgesa të tjera.
Kjo ndodh pavarësisht se vetëm pak javë më parë, Trump nënshkroi një ligj që autorizon vendosjen e sanksioneve dhe tarifave të reja amerikane ndaj vendeve që importojnë naftë dhe gaz rus.
Nisma është kritikuar nga disa ligjvënës republikanë dhe demokratë, të cilët besojnë se marrëveshja shkel ligjet amerikane.
Përveç dërgesës fillestare prej 300 mijë tonësh naftë dizel, Trump tha se Rusia do të furnizonte edhe 500 mijë tonë të tjerë në nëntor dhe më pas edhe një milion tonë.
Këtyre dërgesave do t’u shtoheshin edhe tre milionë tonë të tjerë, të cilët do të dorëzoheshin “brenda një periudhe të shkurtër”, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse, të cilat janë sulmuar nga Ukraina gjatë luftës që vijon mes dy vendeve.
“Çmimet më të ulëta për amerikanët, veçanërisht për fermerët, blegtorët dhe transportuesit tanë me kamionë, janë përparësia ime më e madhe”, shkroi Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, konfirmoi këto shifra për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, duke deklaruar se në të ardhmen vëllimi i eksporteve mund të arrijë në tre milionë tonë në muaj. /ad
