Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha të enjten se fushata e sapo shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e quajtur “Economic D-Day”, kundër Teheranit do t’i sjellë Uashingtonit “një tjetër humbje” dhe do të thellojë armiqësinë e iranianëve ndaj SHBA-së.
“E ashtuquajtura ‘Economic D-Day’ është një devijim i vëmendjes nga kriza e vetë Amerikës: borxhi i paprecedentë dhe rritja e kostove të interesit”, tha Araghchi në platformën amerikane të mediave sociale X.
“Vazhdimi i politikave të dështuara do të sjellë vetëm një tjetër humbje dhe armiqësi nga iranianët”, tha ai, duke shtuar se ajo që e cilësoi si “terrorizëm ekonomik” amerikan kërcënon ekonominë globale dhe sovranitetin në mbarë botën.
Deklaratat e tij erdhën pasi Trump njoftoi të mërkurën atë që e cilësoi si “operacionin ekonomik më shkatërrues të ndërmarrë ndonjëherë kundër cilitdo vend”, duke e përshkruar fushatën si “luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paprecedentë”.
Trump tha se Uashingtoni do të përpiqej të ndërpriste kanalet financiare dhe tregtare që mbështesin Teheranin dhe paralajmëroi se vendet që lejojnë institucionet e tyre financiare, bizneset, aeroportet apo entitetet qeveritare t’i ofrojnë Iranit një “linjë shpëtimi” ekonomike do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.
Duke e cilësuar fushatën si “Economic D-Day”, Trump u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të SHBA-së që t’i bashkohen Uashingtonit në izolimin e Iranit./ad