Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u dha të enjten gjashtë drejtuesve të sektorit të teknologjisë nderimet më të larta të vendit në fushën e shkencës dhe teknologjisë, mes tyre edhe Elon Musk.
Gjatë Samitit të Epokës së Artë, të mbajtur në Institutin e Paqes në Uashington, Trump i akordoi Medaljen Kombëtare të Shkencës Elon Musk të SpaceX, bashkëthemeluesit të Google, Sergey Brin, CEO-s së Nvidia-s, Jensen Huang, dhe CEO-s së AMD-së, Lisa Su.
Themeluesi i Dell Technologies, Michael Dell, dhe CEO i Microsoft-it, Satya Nadella, u nderuan me Medaljen Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit.
“Pak amerikanë në histori kanë bërë më shumë për të çuar përpara interesat kombëtare të Amerikës sesa Elon”, tha Trump, duke e cilësuar Musk si “Thomas Edisonin e ditëve moderne”.
“I gjithë globi tani funksionon me Nvidia-n”, tha ai për kompaninë e Huang.
“Me ndihmën e burrave dhe grave të shkëlqyera që ndodhen këtu sot, ne do të jemi gjithmonë në krye. Askush nuk mund të konkurrojë me ne, askush”, tha ai.
Trump tha se kishte firmosur një urdhër për kompjuterizimin kuantik dhe se kishte vendosur si objektiv “krijimin e një kompjuteri kuantik për zbulime shkencore deri në vitin 2028”.
Ai tha se administrata e tij kishte krijuar “Misionin Genesis” për të “zgjidhur disa nga misteret më të mëdha të shkencës dhe teknologjisë përmes superinteligjencës”.
“Javën e kaluar, ne ndërmjetësuam marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë për superinteligjencën, duke e mbajtur Amerikën në krye”, tha ai./mxh
