Shembulli i Australisë, e cila ka ndaluar aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duket se pritet të ndiqet edhe nga Franca. Lajmi është bërë i ditur nga vetë presidenti francez, Emmanuel Macron.
Në një video të publikuar prej tij, Macron deklaron se duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor, do të ndalohet përdorimi i telefonave celularë në shkolla, si dhe përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.
“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është për shitje. Emocionet e tyre nuk janë për shitje dhe nuk duhet të manipulohen, qoftë nga platformat amerikane apo nga algoritmet kineze”, shprehet Macron në videon e tij.
“Po ndalojmë mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe do të ndalojmë telefonat celularë në shkollat tona të mesme. Besoj se ky është një rregull i qartë – i qartë për adoleshentët tanë, i qartë për familjet, i qartë për mësuesit”, theksoi ai.
Më tej, presidenti francez bën thirrje për përshpejtimin e procedurave ligjore, pas të dhënave shqetësuese të një raporti të autoritetit shëndetësor francez. Sipas raportit: Një në dy adoleshentë kalon nga dy deri në pesë orë në ditë në telefonin cellular.
Rreth 90% e fëmijëve të moshës 12–17 vjeç kanë akses në internet përmes celularëve. 58% e tyre i përdorin pajisjet kryesisht për rrjete sociale.
Përdorimi i rrjeteve sociale shoqërohet me shumë pasoja të dëmshme për shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve.
Njoftimi i Macron erdhi disa ditë pasi qeveria britanike tha se po shqyrton një sërë masash që synojnë t’i mbajnë fëmijët të sigurt në internet, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të mediave sociale për personat nën 16 vjeç./mxh
