Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka shprehur shqetësim për tensionet e fundit brenda aleancës së NATO-s, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar tërheqjen e mijëra trupave nga Gjermania.
Duke folur në prag të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, Tusk theksoi se uniteti transatlantik dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbeten themeli i strategjisë së Polonisë dhe Evropës.
Ai paralajmëroi se përplasjet brenda NATO-s janë skenari më i padëshiruar për sigurinë euroatlantike, duke bërë thirrje për ruajtjen e kohezionit mes aleatëve.
Ndërkohë, në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Tusk ka theksuar se kërcënimi më i madh për komunitetin transatlantik nuk vjen nga jashtë, por nga rreziku i fragmentimit të vetë aleancës, duke kërkuar masa për të përmbysur këtë trend.
Deklaratat e tij vijnë pas njoftimit të Pentagonit për tërheqjen e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania, baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Evropë. Sipas planit, tërheqja pritet të përfundojë brenda 6 deri në 12 muaj.
Ky vendim ka nxitur reagime në Evropë, ku zyrtarët gjermanë kanë bërë thirrje për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të kontinentit në kushtet e ndryshimeve të reja të sigurisë ndërkombëtare.
Zyrtarë polakë theksojnë se deri më tani nuk ka sinjale që trupat e tërhequra të dislokohen në krahun lindor të NATO-s, duke lënë të hapur pasiguritë mbi rishpërndarjen e forcave amerikane në Evropë./MXH
