Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se uniteti transatlantik duhet të mbijetojë këtë periudhë të vështirë, ndërsa theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes Varshavës dhe Uashingtonit, pasi Pentagoni anuloi planet për dislokimin e 4 mijë trupave amerikane në Poloni.
Tusk u shpreh se nuk ka alternativë për miqësinë dhe bashkëpunimin polako-amerikan dhe euro-amerikan.
Tusk shtoi se Polonia mbetet aleati më besnik i Shteteve të Bashkuara në Europë.
Ndërkohë, ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, deklaroi se Polonia tashmë ka përmbushur objektivin e NATO-s për shpenzimet ushtarake, duke arritur nivelin prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Ai tha se koncepti “NATO 3.0”, ku vendet europiane marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, kërkon kohë dhe investime, por Polonia ishte vendi i parë që reagoi ndaj këtij sinjali.
Sipas tij, objektivi prej 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen, që pritet të arrihet deri në vitin 2035, në Poloni do të realizohet që gjatë vitit 2026.
Ministri i Mbrojtjes paralajmëroi gjithashtu se riorganizimi i trupave amerikane në Europë nuk duhet të bëhet në kurriz të Polonisë.
Pamjet arkivore tregojnë trupa amerikane gjatë stërvitjeve ushtarake në Poloni, si dhe demonstrime të tankeve Abrams në baza ushtarake polake./MXH
