Last Updated on 12/11/2026 by EL
Një shitës shallesh në tregun tradicional Namdaemun, në Seul të Koresë së Jugut, është kthyer në një fenomen në rrjetet sociale, por jo për mënyrën se si përpiqet të shesë produktet e tij. Përkundrazi, ai është bërë i famshëm sepse u thotë klientëve të mos blejnë.
I njohur në internet si “Scarf Uncle” (xhaxhai i shalleve) apo “Scarfrio”, shitësi ka fituar popullaritet me batutat dhe mënyrën e pazakontë të komunikimit me blerësit. Kur dikush zgjedh një shall që, sipas tij, nuk i përshtatet, ai nuk ngurron t’i thotë: “Mos e bli, nuk të shkon”. Në raste të tjera i këshillon klientët të mos shpenzojnë para kot.
Kjo mënyrë e drejtpërdrejtë dhe humoristike ka bërë që videot e tij të marrin miliona shikime, ndërsa dyqani i vogël është kthyer në një destinacion për vizitorë që vijnë nga qytete të ndryshme vetëm për ta takuar.
Shitësi ofron gjashtë shalle për 10 mijë won, rreth 7 dollarë. Por fama e papritur ka sjellë aq shumë njerëz në dyqan, saqë në disa raste është detyruar të ndërpresë përkohësisht aktivitetin. Sipas mediave koreano-jugore, në zonë është dashur edhe ndërhyrja e policisë dhe angazhimi i punonjësve të sigurisë për të menaxhuar turmat.
Vëmendja nuk është kufizuar vetëm te dyqani fizik. Pas kërkesave të shumta nga ndjekësit, shitësi hapi edhe një dyqan online, ku ofron të njëjtën ofertë: gjashtë shalle për 10 mijë won. Këtë herë, megjithatë, klientët nuk mund të zgjedhin modelet, pasi ato përzgjidhen nga vetë shitësi.
Rezultati ishte i menjëhershëm. Sipas gazetës “The Korea Herald”, dyqani online regjistroi mbi 157 mijë vizita deri në mëngjesin e 12 nëntorit dhe të gjitha produktet dolën nga shitja.
Ndërkohë, siç raporton “The Guardian”, popullariteti i tij ka sjellë edhe shqetësime për tregtarët e tjerë në Namdaemun, pasi turmat bllokojnë kalimet dhe vështirësojnë aktivitetin e dyqaneve përreth. Vetë shitësi ka shprehur shqetësimin për presionin e krijuar nga fama e papritur dhe u ka kërkuar ndjesë tregtarëve fqinjë.
Kështu, një shitës që dikur përpiqej t’i bindte klientët të mos shpenzonin para, është kthyer në një nga personazhet më të komentuar të rrjeteve sociale në Korenë e Jugut. Dhe duket se këshilla e tij për të mos blerë nuk po i ndal aspak njerëzit./The Guardian
