Last Updated on 01/09/2026 by EL
Zbardhet dëshmia Genti Nelës, kamerierit 18-vjeçar i cili u dhunua mbrëmjen e 27 gushtit në një hotel ku ishte i punësuar. Nela kishte kërkuar pagën pasi kishte vendosur të largohej, duke qenë se kishte gjetur një punë tjetër.
Për këtë ngjarje janë arrestuar Florian Habilaj dhe Enold Dragoti, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndërkohë i arrestuar është edhe xhaxhai i Nelës, i cili u kap me kallashnikov në makinë. Sipas policisë, ai ishte nisur për të vrarë dhunuesit e nipit të tij.
“Më datë 10.07.2026 kam filluar punë si banakier në hotelin “FLAR”, në zonën e Malit të Robit. Për fillimin e punës kam biseduar me Florian dhe Arbër Habilaj. Më datë 27.08.2026 u kam kërkuar pagën, pasi kisha vendosur të largohesha nga puna dhe të punoja diku tjetër. Në momentin që i kam thënë këtë, të pranishëm kanë qenë Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë”, mësohet të ketë thënë Nela.
“Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavllë qelqi në kokë dhe në fytyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha. Ata më kishin bllokuar rrugën dhe vazhdonin të më godisnin. Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin. Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre. Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish”./et
