Last Updated on 31/10/2026 by EL
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë, ku një grua 33-vjeçare dhe djali i saj vetëm 6 vjeç kanë humbur jetën pasi u hodhën nga kati i 18-të i një pallati në shtetin e Maharashtra-s.
Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes. Gruaja, e identifikuar si Ekta Bangad, dyshohet se vuante prej disa vitesh nga një sëmundje kronike e shtyllës kurrizore, e cila i kishte shkaktuar vështirësi të vazhdueshme shëndetësore.
Pas ngjarjes, policia gjeti në banesën e saj një letër të shkruar me dorë, me gjatësi rreth 7-8 faqe, ku 33-vjeçarja kishte shpjeguar arsyet që, sipas saj, e kishin çuar drejt këtij vendimi tragjik.
Në letër, gruaja i drejtohej bashkëshortit të saj, Manoj Bangad, i cili punon si inxhinier në një kompani të teknologjisë së informacionit në Pune.
Sipas raportimeve, ajo i kërkonte atij që, pas vdekjes së saj, të rimartoheshin dhe të rindërtonte jetën e tij. Një pjesë veçanërisht tronditëse e shkrimit lidhej me djalin e tyre. Gruaja shprehte shqetësimin se fëmija do ta kishte të vështirë të përballonte mungesën e saj dhe do të kërkonte vazhdimisht të dinte se ku ishte e ëma.
Sipas përmbajtjes së raportuar të letrës, ajo kishte përmendur gjithashtu frikën se prania e një fëmije mund ta vështirësonte mundësinë që bashkëshorti i saj të rimartohej.
Autoritetet indiane kanë nisur hetimet dhe po shqyrtojnë me kujdes përmbajtjen e letrës, si dhe rrethanat që paraprinë ngjarjen. Në shkrimin e saj, 33-vjeçarja kishte përmendur edhe problemet e zgjatura shëndetësore dhe vështirësitë që lidhen me sëmundjen nga e cila vuante.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka lënë të tronditur familjarët dhe opinionin publik në Indi./ET
