Last Updated on 19/04/2026 by Monika
Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Coast”, duke arrestuar në flagrancë një 22-vjeçar të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytet.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, kanë kapur shtetasin G. R., 22 vjeç, në lagjen nr. 17 të Durrësit, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar në total rreth 188.5 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e dyshuar si e destinuar për shpërndarje në qytet.
Në kuadër të këtij operacioni është proceduar penalisht edhe shtetasi L. Gj., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit iu gjet një mjet prerës (thikë), për të cilin akuzohet për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme./mxh
