Last Updated on 12/11/2025 by EL
Një 53-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi shiste kanabis në doza pranë një shkolle të mesme në rrugën “Ymer Kurti”.
Ai u kap në flagrancë teksa po i shiste lëndë narkotike një adoleshenti, 15-vjeçar, i cili do të hetohet në gjendje të lirë.
“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pasi kanë siguruar informacion se 1 shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në afërsi të një shkolle të mesme, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Perimetri”, për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në afërsi të shkollës, në rrugën “Ymer Kurti”, shtetasin B. Ç., duke i shitur doza kanabisi, një 15-vjeçari.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 53-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje.
Në përfundim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi B. Ç., 53 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shtetas i mitur u vu në hetim.”, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./e.t
