Abuzimi i grave nga figura si Epstein-i dhe abuzimi i pushtetit politik nga njerëz si Mandelson-i duhet të përballen. Sa më takon mua, do të bëj pjesën time.
Ish-kryeministri “pendohet thellësisht” që e solli Mandelson-in në qeverinë e tij.
Gordon Brown*
Në rrethin më të gjerë të Jeffrey Epstein-it, gratë dhe vajzat u trajtuan si më pak se qenie njerëzore nga burra të fuqishëm që vepronin shumë përtej ligjit. Trafikimi seksual i organizuar prej tij dhe bashkëpunëtorëve të tij kriminalë është shembulli më i rëndë i një rrjeti global burrash të pasur e të pushtetshëm që mendojnë se mund të veprojnë pa u ndëshkuar. Asgjë më pak se një ribalancim i pushtetit dhe përgjegjshmërisë, që përcakton një shekull të tërë, nuk i përgjigjet këtij momenti dhe traumës së viktimave. Ky skandal, mbi të gjitha, ka të bëjë me to dhe me dhimbjen e tyre.
Por teksa përthith detajet e asaj që ka dalë në dritë, e kam të vështirë të gjej fjalë për të shprehur neverinë ndaj asaj që është zbuluar për Epstein-in dhe ndikimin e tij në politikën tonë. Gjatë krizës financiare, doja që çdo minutë e çdo dite të përdorej për të bërë gjithçka të mundur për të shpëtuar shtëpitë, kursimet, pensionet dhe vendet e punës së njerëzve. Që një anëtar i kabinetit në atë kohë të mendonte më shumë për veten dhe miqtë e tij të pasur është një tradhti ndaj gjithçkaje që përfaqësojmë si vend. Që rrjedhjet e informacionit të ndjeshëm t’i shkonin dikujt që tani e dimë se ishte drejtues i një rrethi abuzuesish dhe bashkëpunëtorësh më neverit.
Në javët dhe muajt që vijnë duhet të gjejmë mënyra për të rindërtuar besimin. Por besimi në politikë, sapo dëmtohet, është i vështirë të riparohet. Ndërsa policia heton Peter Mandelson-in për pretendime mbi sjellje financiare e politike të parregullta, madje kriminale, politikanët kanë një detyrë herkuliane për të bindur njerëzit se veprojnë në interes publik dhe jo vetëm për interesin e tyre. Tashmë, dy të tretat e britanikëve besojnë se politikanët mendojnë kryesisht për veten. E vërteta e zymtë është se, nëse nuk ndryshon diçka thelbësore, zbulimet e kësaj jave do të jenë acid për demokracinë tonë, duke e gërryer edhe më tej besimin.
Ne në Britani duhet të përballemi me fakte të pakëndshme. Çdo disa vite vendi ynë tronditet nga një skandal i madh, nga i cili mësimet nuk nxirren kurrë plotësisht: afera Profumo e viteve ’60, zarfet kafe të korrupsionit në vitet ’80, skandali i shpenzimeve të deputetëve në vitet 2000, tepricat e “Partygate” të Boris Johnson-it në fillim të viteve 2020 dhe tani afera Mandelson.
Më duhet të marr përgjegjësi personale për emërimin e Mandelson-it si ministër në vitin 2008. E pendoj thellësisht këtë vendim. E mora në fund të katër viteve të tij si komisioner evropian për tregtinë. Më ishte thënë se bilanci i tij ishte i pastër dhe nuk kishte asnjë raport për marrëdhënie me dikë të quajtur Epstein. Askush nuk mund të thoshte se e promovova nga favorizimi. E bëra sepse mendoja se njohuritë e tij për Evropën dhe më gjerë mund të na ndihmonin në krizën globale financiare. Tani e di se gabova. Ai duket se përdori informacion të brendshëm të ndjeshëm për tregun për të tradhtuar parimet që pretendonte se besonte – dhe njerëzit që besuan tek ai.
Veprimtaritë e tij, të zbuluara nga vetë email-et e tij, nuk tregojnë vetëm dyfytyrësinë. Ato na detyrojnë të shqyrtojmë sa e lehtë është në vendin tonë të tregtosh sekrete – si pasuria fiton akses në pushtet, si rrugët e fshehta drejt vendimmarrësve mbulohen, si lobimi për përfitim financiar anashkalon rregullat e dobëta dhe si ligjet tona nuk kanë arritur të ndjekin korrupsionin. Tani është e pamohueshme nevoja për veprim të menjëhershëm e gjithëpërfshirës për të pastruar politikën tonë me rregulla të reja dhe institucione të fuqishme kontrolli.
Pas skandaleve të Johnson-it, me kërkesë të Keir Starmer-it, drejtova një rishikim të kushtetutës sonë me rekomandime për standardet në jetën publike. Kryeministri është në pozicionin më të mirë për zbatimin e tyre të plotë.
Disa rekomandime tashmë po zbatohen – forcimi i kodit të sjelljes ministrore, reforma zgjedhore për të ndaluar paratë e huaja dhe ulja e centralizimit mbytës të Whitehall-it – por duhet të ecim shumë më shpejt.
Na duhet një komision i pavarur kundër korrupsionit, me kompetenca ligjore për të zbuluar dhe ndëshkuar krimin në jetën politike. Duhet të vendoset qartë “korrupsioni” si vepër penale. Komisioni i etikës dhe integritetit duhet të ketë fuqi hetimore dhe ndëshkuese. Kodi i deputetëve duhet të kufizojë punët e dyta. Publiku duhet të përfshihet më shumë në vendimmarrje.
Janë ngritur pikëpyetje për dhënien e kontratave dhe lobimin. Më pak se 4% e lobistëve mbulohen nga ligji i vitit 2014. Raporte të fundit e quajnë Britaninë vendin më pak transparent në botën perëndimore. Konfidencialiteti tregtar nuk duhet të pengojë transparencën.
Vëmendja është kthyer edhe te Dhoma e Lordëve. Pa llogaridhënie më të madhe dhe regjistër të plotë lobimi, shumë anëtarë me punë të dyta krijojnë rrezik skandalesh të reja. Reforma nuk mund të ndalet te ndryshime sipërfaqësore.
Duhet verifikim publik për emërimet e mëdha, me seanca parlamentare si në SHBA. Vetëm kështu shmangen gabimet.
Asnjë ndryshim nuk garanton se individë të vendosur nuk do ta tradhtojnë vendin. Por ua kemi borxh viktimave që çdo veprim i yni të synojë ndalimin e abuzimit të pushtetit. Pa vonesë, kryeministri mund të hapë një epokë të re transparence, duke vendosur mbrojtje të forta dhe përgjegjshmëri reale. Ka ardhur koha të hyjë drita – dhe princat e errësirës të largohen.
*Gordon Brown është i dërguari special i OKB-së për arsimin global dhe kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 2007–2010.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
